Maqedoni

Shtëpia e Pensionistëve në Çair, 200 mijë denarë investime, premtohen më shumë

26.08.2015 14:17

Fondi Pensional dhe Invalidor në bashkëpunim me Komunën e Çairit kanë investuar në Shtëpinë e Pleqve në Çair, duke u mundësuar personave të moshuar që banojnë këtu, banorëve një jetë më të mirë me kushtet e nevojshme për jetesë...

Këto investime, duke filluar nga viti 2013 e deri më sot, përfshijnë një shifër afër 200 mijë denarësh.

“Ne si Fond Pensional kemi bërë investime në këtë shtëpi të pensionistëve, duke filluar me ndërrimin e mbulesës së kulmit më një mbulesë të plastificuar, mandej duke vazhduar edhe me ndërrimin e dritareve nga druri me të reja, ndërrimin e dritareve të vjetra në kulm me të reja, të cilët ishin problem i madh sidomos gjatë periudhës së dimrit. Fondi në bazë të projektit të planit për investim në Shtëpinë e Pleqve në Çair…. është vendosur laminat i ri, është vendosur gips në këtë shtëpi”- u shpreh drejtori i Fondit Pensional dhe Invalidor, Amet Dauti.

“Dua t’i falënderoj në emër të qytetarëve të Çairit për angazhimin që e bëjnë, për investimin që e bëjnë që edhe kjo strukturë e shoqërisë, pjesa që ka më shumë nevojë për ndihmën tonë, pra njerëz të cilët janë në moshë t’i dalim në ndihmë”- theksoi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

“Ankohen në aktivitetet që nuk kanë pasur asgjë…tash kemi një plan jashtë Maqedonisë, mendojmë për ekskursion në Shqipëri kah fundi i shtatorit, mundohemi të organizohemi”- tha kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Komunës së Çairit, Mentor Qoku.

Banorët e Shtëpisë së Pleqve thonë se në krahasim me vitet e kaluara tani kushtet i kanë më të mira, por ata ankohen me ujin dhe rrymën.

“Mirë është si e kanë rregulluar, më nxehtë do të bëhet, edhe dritaret i kanë rregulluar, edhe pak duhet të ketë para për të rregulluar ujin dhe rrymën”- theksoi një banore në Shtëpinë e Pleqve.

“Duhet ta rregullojnë ujin dhe rrymën, sepse janë katastrofë, sepse ne me këto pensione të vogla asgjë nuk mundemi të bëjmë dhe ndihmë nuk kemi prej askujt”- u shpreh një banor i Shtëpisë së Pleqve.

Dauti thotë se edhe gjatë vitit të ardhshëm do të investojnë në Shtëpinë e Pleqve në Çair në gjërat e nevojshme për banorët e kësaj shtëpie. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)