Kosova dhe Serbia nënshkruajnë 4 marrëveshje, BE-ShBA: U nënshkruan marrëveshjet historike

26.08.2015 14:40

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, dialog ky i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian...

Beogradi dhe Prishtina kanë arritur ujdi për  Asociacionin e Komunave me popullatë shumicë serbe, për telekomunikimin, për energjetikën dhe për të ashtuquajturin “Park i paqes”.

Nënshkrimin e marrëveshjeve e ka konfirmuar edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Ai, duke folur për televizionin publik në Kosovë është shprehur se të gjitha marrëveshjet janë arritur në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duke theksuar se kjo është një "fitore për Kosovën".

Sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Isa Mustafa tha se roli i këtij Asociacioni nuk do të jetë ekzekutiv.

"Baza ligjore apo legale e Asociacionit janë ligjet e Republikës së Kosovës dhe ato nuk lejojnë që të kenë asnjë kompetencë ekzekutive në Kosovë. Ndërkaq, Asociacioni mund t'u ndihmojë komunave me shumicë serbe që ato të rrisin efiçencën e veprimtarisë së vetë në shumë fusha. Por, ne me këtë nuk kemi lënë asnjë mundësi që të lind një republikë serbe, ashtu siç është në Bosnjë"- tha Mustafa.

Ndërkohë, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se marrëveshjet e arritura në Bruksel garantojnë siguri për serbët në Kosovë. “Sonte vendoset bashkësia e komunave serbe, e cila do të ketë kompetenca të gjera, do të ketë kryetarin, nënkryetarin, kuvendin, këshillin, stemën, flamurin…do të mund të financohet nga Serbia”- është shprehur Vuçiq për televizionin publik në Serbi, duke premtuar se përmbajtja e të gjitha marrëveshjeve do të publikohet.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, ka theksuar se marrëveshjet e nënshkruara  janë një e arritur madhore në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë.

Edhe eurokomisioneri, Johanes Hahn, ka uruar kryeministrin serb, Vuçiq, dhe atë kosovar, Mustafa, për marrëveshjet e mbrëmshme, duke e quajtur dialogun midis Serbisë e Kosovës si progres substancial.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgëzojnë të dy qeveritë për progresin e arritur në përmbushjen e zotimeve të bëra në Marrëveshjen e Brukselit dhe në aranzhimet e tjera të dialogut, duke lëvizur kështu të dy shtetet drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe duke përshpejtuar rrugëtimin e tyre drejt BE-së. “ShBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja”- thuhen në kumtesën e DASh-it.

Përparimi në dialog, përkatësisht në normalizimin e marrëdhënieve, është kusht edhe për Kosovën edhe për Serbinë, që të avancojnë drejt integrimit në BE. (Zërijeta Jahjaga, TVM2)