Maqedoni

105 vjetori i lindjes së Nënë Terezës, tribunë shkencore në ITKSh

26.08.2015 16:01

Me rastin e 105 vjetorit të lindjes në Shkup të njërës nga personalitetet më të mëdha botërore...

Me rastin e 105 vjetorit të lindjes në Shkup të njërës nga personalitetet më të mëdha botërore, figurës universale, Gonxhe Bojaxhiu–Nënë Terezë, Instituti i  Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup mbajti tribunë kushtuar figurës së saj.
 
Drejtori i Institutit, dr. Skender Hasani, vuri theks se duhet të ndriçohet periudha e rinisë së Nënës Terezë jo vetëm jeta, por edhe veprimtaria e saj përpara largimit të saj nga Shkupi.
 
“Neve si institut na mbetet që kjo periudhë e rinisë së Nënë Terezës ta hulumtojmë dhe ta nxjerrim në pah gjithë veprimtarinë e saj në rini, e cila periudhë është shumë pak ose aspak e hulumtuar dhe shumë pak është shkruar për këtë periudhë të jetës së saj”- deklaroi drejtori i ITKSh-së, Skender Hasani.  
 
“Ajo dëshmoi fuqinë e miqësisë vëllazërore duke nxitur kështu zhvillimin   njerëzor dhe shoqëror. Jeta e saj ishte një kushtrim jetësor ndaj të sëmurëve dhe të varfërve. Me gjak jam shqiptare, për nënshtetësi indiane, ndërsa besimi  murgeshë katolike, sipas thirrjes i përkas botës, por zemra ime i përket zemrës së Krishtit, janë këto fjalët e gruas që gjithmonë ndihmoi  njerëzit nevojtarë, por kurrë nuk harroi origjinën e saj shqiptare”- tha prof. dr. Nebi Dervishi.
 
“Shkupjanët krenohen ngaqë ajo ishte e lindur në Shkup, kosovarët ngaqë prindërit i kishte me prejardhje kosovare, ndërsa shqiptarët ngaqë ajo është shqiptare, kurse botës i vlen veprimtaria e saj”- u shpreh ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa.
 
Ndërkohë, Don Viktor Sopi prezantoi një përmbledhje të burrështetasve botërorë për atë se si ata e vlerësuan figurën e saj. 
 
“Nena Terezë ishte grua e gëzuar dhe e vendosur. Ajo shërbeu me plot vetëmohim dhe dashuri, ajo ju dha paqe shumë të tjerëve. Sot kur ne i themi lamtumirë asaj, me kujtohet mësimi i saj të japish. Për të varfrit është diçka që t’i merr më shumë nga ajo që t’i jep, Hilari Klinton”- theksoi drejtori i Organizatës Humanitare “Caritas Kosova”, Viktor Sopi.
 
Ndryshe, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve vazhdimisht ka afirmuar vlerat universale që ka Nënë Tereza.
 
LUMTURIE HAJRO