Maqedoni

Samiti i Vjenës, “plan marshall” për vendet e Ballkanit Perëndimor

26.08.2015 16:24

Një “plan marshall” për vendet e Ballkanit Perëndimor, pra një plan për rindërtimin e ekonomisë, që do lejojë zhvillimin e këtij rajoni...

Është ky vendimi që do të miratohet në Samitin e Vjenës. Iniciativa për këtë plan është e kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila do të përkthehet në një vlerë më të madhe monetare dhe për herë të parë në histori, shtetet e Ballkanit do të prezantojnë mbi tavolinë projektet e përbashkëta të zhvillimit energjetik dhe infrastrukturës.
 
Fondi për Ballkanin do të jetë miliarda euro. Ky mekanizëm është negociuar një vit më parë në Samitin e Berlinit, mes kryeministrit shqiptar, Edi Rama, kancelares gjermane, Merkel, dhe Jose Manuel Barroso, teksa ky i fundit ishte në atë kohë president i Bashkimit Evropian.
 
Edhe mediat gjermane janë hapur sot me kryeartikull: “30 krerë shtetesh dhe ministra do të jenë të pranishëm në Samit për të diskutuar për iniciativën e vitit 2014 në Samitin e Berlinit”. 
 
Një tjetër çështje e rëndësishme që diskutohet në Samitin dyditor të Vjenës është edhe ajo e refugjatëve, ku pritet që Merkel dhe liderët e Komisionit Evropian të kritikojnë ashpër liderët e Ballkanit për mungesën e bashkëpunimit. Javët e fundit Ballkani Perëndimor është përfshirë nga eksodi masiv i emigrantëve.
 
Bashkëpunimi rajonal, migrimi dhe dialogu fetar do të jenë gjithashtu pjesë e agjendës së diskutimeve.
 
Në Samitin e Vjenës merr pjesë edhe ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri. Nesër ministri Neziri do të marrë pjesë në Mëngjesin e Biznesit me Top-15 investitorët më të mëdhenj austriakë në Ballkanin Perëndimor dhe në tryezën e rrumbullakët të ministrave të Ekonomisë, që i kushtohet prosperitetit ekonomik dhe lidhjeve infrastrukturore.
 
MIGENA GORENCA