Maqedoni
OEMVP për Samitin e Vjenës: të vendoset për përfundim të korridoreve 10 dhe 8
26.08.2015 17:41
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore nga Samiti i Vjenës pret të dalin vendime konkrete...

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore nga Samiti i Vjenës pret të dalin vendime konkrete për përfundimin e korridorin 10 dhe të korridorit 8, ku Maqedonia përfshihet pjesërisht nga Kërçova deri në Gostivar.
Kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha, thotë se vendimet njëkohësisht duhet të kenë për qëllim zhvillimin e barabartë rajonal.
“Nga ky Samit i shteteve të Ballkanit Perëndimor presim zhvillim më të madh ekonomik, gjithëpërfshirës, sepse këto rrugë që lidhin Ballkanin me Unionin Evropian, njëkohësisht, përveç lidhjeve që bëjnë të popujve, mundësojnë qarkullim më të lehtë dhe më të shpejtë të mallrave dhe zhvillimin më të madh të rajonit në përgjithësi”- deklaroi kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
Hoxha thotë se Oda Ekonomike që ai drejton paraprakisht ka pasur edhe kërkesa të tjera të cilat, sipas tij, nuk janë përfillur nga qeveria.
Është kërkuar hapje të investimeve infrastrukturore kapitale në Maqedoninë Veriperëndimore, si dhe zhvillim infrastrukturor të akseve rrugore Tetovë–Prizren, Tetovë–Ferizaj, rruga Kumanovë- Bellanoc, si dhe terminalit doganor në Jazhincë.
Hoxha thotë se Qeveria e Maqedonisë i është bashkangjitur 11 projekte të pesë vendeve të tjera të Ballkanit, të cilat do të duhej të përfundonin deri në fund të 2030-ës.
“Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë dalë me propozimet e tyre konkrete, duke nisur nga Shqipëria e Serbia dhe shtetet e tjera. Në rastin konkret qeveria jonë është bashkangjitur në propozimet e këtyre shteteve dhe pa konsultimin e anëtarëve socio-ekonomik dhe strukturave të cilat mbështesin ekonominë e këtij vendi, i janë bashkangjitur propozimeve të tyre”- tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
Samiti i Vjenës është vazhdimësi i Samitit të vjetshëm të Berlinit.
Komisioneri për zgjerim, Johanes Hahn, më herët ka deklaruar se BE do të lëshojë miliarda euro për përmirësimin e infrastrukturës së Ballkanit Perëndimor.
MERAL ISMAILI
