Maqedoni
Grupi punues, Hojt: pika më e vështirë, debati serioz
26.08.2015 17:52
Bisedimet rreth Kodit Zgjedhor kanë shënuar progres, por ende nuk jepet asnjë detaj për cilën çështje palët janë afër një marrëveshje politike...

Eksperti i BE-së, Piter Van Hojt, thotë se pjesa më e vështirë në këto bisedime është mungesa e besimit të ndërsjellë mes palëve, gjë që ul nivelin e diskutimit dhe vështirëson debatin e argumentuar.
Pavarësisht kësaj, Hojt thekson se ditëve të fundit debati është gjithëpërfshirës dhe korrekt.
“Përgjithësisht, pika më e vështirë ishte që të motivosh palët të ulen së bashku dhe seriozisht dhe në kontinuitet të angazhohen në bisedime. Ditëve të fundit kishim bisedime të mira, të përgatitura mirë, ndërkaq unë kërkova përfshirjen e të gjithë palëve, gjë që ndodhi. Ky është një hap i madh përpara pasi palët seriozisht u përfshinë në bisedime. E them gjithmonë se është fatkeqësi kur palët nuk kanë besim të ndërsjellë, pasi në këtë rast niveli i bisedimeve nuk është ashtu siç do të duhej të jetë”- deklaroi eksperti i BE-së, Piter Van Hojt.
Jozyrtarisht, palët janë shumë afër marrëveshjes politike për pastrimin e listës zgjedhore, përbërjen dhe kompetencat e KShZ-së.
Palët shqyrtojnë opsionin që vërejtjet dhe ankesat për procesin zgjedhor të mos i shqyrtojë KShZ dhe as gjykatat ekzistuese, por një trup i posaçëm ose një kolegj gjyqësor.
Në takimin e së enjtes, grupi punues do të vazhdojë bisedimet rreth prokurorit special dhe kompetencat e tij.
Për këtë çështje, grupi punues është nën presion të kohës, pasi afati i fundit për zgjedhjen e prokurorit special, sipas Marrëveshjes së Përzhinos, është 15 shtatori.
SHPËTIM NUREDINI
