Botë
Mbytet anija, vdesin 50 emigrantë, u bllokuan në pjesën e poshtme të anijes
27.08.2015 12:57
Rojet Bregdetare italiane kanë raportuar se mbi 50 emigrantë kanë vdekur në hambarin e një anijeje që ishte nisur nga Libia...

Trupat e pajetë janë gjetur gjatë një operacioni shpëtimi në kanalin e Sicilisë, ku janë shpëtuar mbi 430 të tjerë.
Anija suedeze “Poseidon”, që bashkëpunon me Agjencinë për Kontrollin e Kufijve të BE-së, “Frontex”, iu doli në ndihmë emigrantëve në anijen ku janë gjetur edhe trupat e pajetë.
Mendohet se deri te vdekja e personave në hambarin e anijes ka ardhur pasi ata janë asfiksuar nga gazrat e motorit.
Ky operacion shpëtimi ishte vetëm njëri nga kërkesat për ndihmë që rojet bregdetare kanë marrë.
Rreth 10 sinjale alarmi shpëtimi kanë mbërritur në Qendrën Operative të Rojes Bregdetare italiane e deri më tani 5 prej tyre janë realizuar me sukses.
Po gjatë paradites së sotme ka mbërritur në portin e Katanias anija kroate “Andrija Mohorovicic” me në bord 218 klandestinë e me një emigrant të vdekur me origjinë sudaneze për shkaqe natyrore.
Mendohet se deri më tani më shumë se 2400 persona kanë vdekur në det këtë vit, duke dashur që të hyjnë në Evropë ilegalisht.
BELINDA KOKA-ADEMI
