Botë
Hashim Thaçi: Serbia të shkëputet nga politikat nacionaliste
27.08.2015 13:26
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për të përditshmen austriake “Tiroler Tageszeitung”...

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për të përditshmen austriake “Tiroler Tageszeitung” ka theksuar se Kosova që nga fillimi ka qenë konstruktive dhe bashkëpunuese me të gjithë në rajon, përfshirë edhe Serbinë.
Sipas Thaçit, Serbia, lidershipi i saj politik, duhet të dëshmojë se vërtetë është shkëputur nga politikat e nacionalizmit dhe hegjemonizmit dhe se vërtetë është përcaktuar për bashkëpunim dhe normalizim të marrëdhënieve.
“Në raport me Kosovën, lidershipi politik në Serbi ende ndjek politika armiqësore. Në rastin e kryeministrit të Serbisë, z. Vuçiq, është e rëndësishme që ai të vlerësohet në bazë të veprave të tij e jo në bazë të fjalëve që i thotë”- ka vlerësuar Thaçi duke shtuar “të gjithë presin nga Serbia që të shkëputet nga politikat nacionaliste që kanë sjellë viktima e shkatërrim dhe t'i bashkohet trendit të dialogut dhe bashkëpunimit që po promovohet në tërë rajonin tonë”.
I pyetur për krijimin e Gjykatës Speciale, Thaçi ka theksuar se Kosova vazhdimisht ka qenë e përkushtuar në rend dhe ligj, në drejtësi, si dhe në gjetjen e të vërtetës për atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë.
“Kosova, UÇK-ja, liderët politikë të Kosovës kanë qenë dhe janë në fokus të një fushate të shpifjeve dhe njollosjes nga ana e atyre që janë kundër projektit të shtetit të Kosovës, por edhe kundër vet idesë së intervenimit të bashkësisë ndërkombëtare për qëllime humanitare dhe për të ndërprerë vuajtjet e civilëve. Prandaj të gjithë në Kosovë dëshirojnë të bashkëpunojnë me të gjitha autoritetet kredibile që të sqarohet çdo gjë, të hiqen të gjitha njollat që i janë hedhur Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës”- ka theksuar Thaçi.
Duke folur për procesin e integrimeve evropiane, Thaçi ka thënë se Kosova ka qenë e shkatërruar nga vitet e tëra të diskriminimit, represionit dhe në fund përpjekjet për gjenocid.
Kjo, sipas tij, e ka vonuar në raport me të gjitha vendet tjera të Evropës në rrugën e tranzicionit. Thaçi ka thënë për të përditshmen austriake se rruga drejt BE-së nuk është ndalur dhe se këtë vit do të bëhet edhe nënshkrimi i MSA-së.
VALIDE LIMANI
