Maqedoni

Ballkani Perëndimor më pranë BE-së përmes projekteve rajonale infrastrukturore energjetike

27.08.2015 15:46

Ministri i Ekonomisë Bekim Neziri sot morri pjesë në tryezën e rrumbullakët të ministrave të Ekonomisë, me temë "Prosperiteti ekonomik dhe ndërlidhja infrastrukturore"...

Ministri i Ekonomisë Bekim Neziri sot morri pjesë në tryezën e rrumbullakët të ministrave të Ekonomisë, me temë "Prosperiteti ekonomik dhe ndërlidhja infrastrukturore", që u zhvillua në kuadër të konferencës dyditore për Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga zëvendës-kancelari federal dhe ministër për Shkencë, Hulumtime dhe Ekonomi i Republikës së Austrisë, Reinhold Miterlener.
 
Gjatë sesionit, i cili është  vazhdim i Procesit të Berlinit i inicuar vitin e kaluar nga kancelarja gjermane Angela Merkel, u diskutuan dy tema kryesore: prosperiteti e ndërlidhja ekonomike dhe zhvillimi e përsosja profesionale e kapitalit njerëzor. 
 
Ministri Neziri prezantoi projektet më aktuale energjetike që mundësojnë furnizim të sigurt dhe cilësor të të gjitha llojeve të energjisë, si dhe aktivitete për ndërlidhjen e Republikës së Maqedonisë me sistemet elektroenergjetike të vendeve fqinje, me qëllim të krijimit të një tregu rajonal funksional të energjisë elektrike, që do të integrohet në tregun evropian, e që paraqet një nga prioritetet e vendit tonë, si nënshkruese e Traktatit themelues të Komunitetit të Energjisë.
 
"Si një shembull i bashkëpunimit të suksesshëm rajonal, unë do të doja të theksoja realizimin e linjës interkonektive 400 kV kah Serbia, Shtip-Nish, investimi total i të cilës është 14 milion euro, prej të cilave 11 milionë janë dhënë nga Banka Botërore. Në mesin e projekteve prioritare janë interkonekcioni 400 kV me Shqipërinë Manastir-Elbasan, ndërsa në fazën e analizës është linja 400 Kv ME Kosovën interkonjeksionit kV Shkup-Kosova C, duke zëvendësuar linjën ekzistuese jofunksionale të transmetimit 220 kV  nga Shkupi deri te Kosova A. Nga ana tjetër, Maqedonia është e hapur për bashkëpunim me vendet e rajonit dhe më gjerë, në aspektin e të gjitha zgjidhjeve të ofruara për ndërtimin e lidhjeve të gazit dhe sigurimin e gazit natyror. Në këtë drejtim, me sukses kemi përfshirë 2 nga projektet tona në iniciativën për lidhjen e Evropës Qëndrore dhe Juglindore, që synon diversifikim më të madh të furnizimit me gaz natyror dhe sigurinë e furnizimit në rajon duke rritur infrastrukturën rajonale dhe përmirësimin e integrimit të tregjeve, përmes angazhimit të përbashkët të të gjitha shteteve anëtare të BE-së dhe Palëve të Komunitetit të Energjisë", tha Neziri. 
 
Në tryezën e rrubullakët u nënvizua bashkëpunimi i suksesshëm midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë në interesat e përbashkëta në projektet e ardhshme, që  përveç energjetikës do të përfshijnë edhe infrastrukturën e transportit.
 
Përfaqësuesit e lartë të Ballkanit Perëndimor shprehën nevojën unanime për thellimin e bashkëpunimit të deritanishëm dhe zbatimin më të shpejtë të projekteve me interes rajonal.
 
Sekretari i Shtetit i Ministrisë së Ekonomisë së Gjermanisë Uve Bekenmaer theksoi rëndësinë e pranimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, ndërsa duke marrë parasysh madhësinë dhe kompleksitetin e projekteve të paraqitura energjetike, theksoi nevojën për të futur metodologjinë për prioritizimin e tyre.
 
Për këtë qëllim, vendet e Ballkanit Perëndimor ranë dakord që në samitin e ardhshëm të paraqiten me projekte konkrete në bazë të rëndësisë, prezantimin e tyre të hollësishëm dhe alokimin e fondeve për finansimin e tyre.
 
Në fushën e zhvillimit profesional dhe përmirësimin e kapitalit njerëzor, u theksua domosdoshmëria e edukimit më të mirë profesional, në drejtim të përmirësimit të konkurrencës së kuadrove  dhe të tregut të punës në tërësi.
 
Në tryezën e rrumbullakët morrën pjesë ministrat e ekonomisë të Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë, ndërsa pjesë e Samitit ishte edhe nënkryetarja e Komisionit Evropian Federica Mogherini, presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Suma Cakrabarti, presidenti i Bankës Evropiane të Investimeve Verner Hojer dhe zëvendës-presidentja e Bankës Botërore Laura Tuk.
 
Pas përfundimit të Samitit dhe tryezës e rrumbullakët u organizua një ceremoni për shënimin e 10 vjetorit të nënshkrimit të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.