Maqedoni
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale: Vazhdon banja dhe vikendi falas për pensionistët
27.08.2015 16:04
Javën e ardhshme fillon faza e dytë e realizimit të projekteve për rekreacion falas klimatik dhe banjë...

Javën e ardhshme fillon faza e dytë e realizimit të projekteve për rekreacion falas klimatik dhe banjë, si dhe për vikend turistik falas për pensionistët në Republikën e Maqedonisë, ka paralajmëruar sot ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.
Këtë vit rreth 1.250 pensionistë do ta shfrytëzojnë projektin për rekreacion falas klimatik dhe të banjës, ndërsa rreth 950 pensionistë do t'i shfrytëzojnë volitshmëritë e projektit për vikend turistik falas.
“Gjithsej 2.200 pensionistë në periudhën nga shtatori-tetori do t'i shfrytëzojnë tërësisht shërbimet falas nga këto projekte të cilat hasën në interes të madh dhe kënaqësi tek kjo kategori e qytetarëve, të cilëve u ndihmojnë që të socializohen, të rekreohen, të fitojnë miqësi të reja, u ndihmojnë të kenë jetë më cilësore"- deklaroi ministri i Punës dhe Politikes Sociale, Dime Spasov.
Spasov informoi se për realizimin e këtyre dy projekteve për sivjet janë siguruar rreth 48 milionë denarë. Në të dy projektet do të përfshihen gjithsej 8.500 pensionistë, ndërsa në shtator do të publikohet shpallje për të dy projektet për vitin 2016. Spasov tha se edhe më tej do të vazhdojnë me projekte të cilat përmirësojnë jetën e pensionistëve në Maqedoni.
Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Maqedonisë, Dragi Argirovski, theksoi se në mënyrë të këtillë kontribuohet për krijim të kushteve më të mira për pensionistët në Maqedoni, për cilësinë e jetës së tyre.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
