Maqedoni

BFI, mirënjohje për organizatat që ndihmuan refugjatët

27.08.2015 16:23

Transporti i emigrantëve nga kufiri jugor drejt kufirit verior gjatë natës së kaluar dhe ditës së sotme po zhvillohet pa probleme dhe në mënyrë të organizuar...

Situata në kufi është normale dhe nën kontroll të plotë të forcave speciale të policisë dhe njësive të ARM-së. Policët grekë, megjithatë lëshojnë në mënyrë periodike në Maqedoni të hyjnë grupe më të vogla nga qindra emigrantë. Sipas vlerësimeve të UNHCR-së dhe Kryqit të Kuq, dje nga Gjevgjelia drejt Tabanocit kanë shkuar sërish rreth 3.000 emigrantë dhe ky numër pritet të arrijë edhe sot. 
 
Nga stacioni hekurudhor informojnë se sot në mëngjes me trenin e jashtëzakonshëm, që është nisur nga platforma te kampi i pranimit, drejt Tabanocit janë drejtuar 700, ndërsa me trenin e rregullt kanë shkuar edhe 500 emigrantë.
 
Të tjerët të cilët presin të evidentohen në kampin e pranimit në Gjevgjeli gjatë ditës drejt Tabanocit do të transportohen me autobusë dhe taksi automjete.
 
Komuna e Gjevgjelisë dje ka dhuruar 1.500 pako me ujë dhe po aq pako me kroasane të cilat u pranuan nga përfaqësuesit e UNHCR-së dhe Kryqit të Kuq, të cilat iu shpërndanë emigrantëve. 
 
Nga ana tjetër, Bashkësia Fetare Islame  përpos që ka ofruar ndihmë për emigrantët që në ditët e para përmes organizatës që vepron pranë BFIS-së, “Hilal”, ajo sot ka ndarë mirënjohje për aktivitetin human që kanë dhënë, duke ju ofruar ndihmë viktimave të kësaj golgote.  Me këtë rast, kryetari Sulejmani, pasi i ndau mirënjohje Organizatës Joqeveritare “Legis”, ai ka ftuar edhe organizatat tjera në bashkëpunim dhe bashkëveprim.
 
“Kjo organizatë joqeveritare është mirë të jetë shembull për të gjitha organizatat tjera humanitare joqeveritare që duhet të bashkëveprojnë  me Bashkësinë Fetare Islame, të bashkëveprojnë me Organizatën Humanitare “Hilal”, sepse ne kemi një bashkëpunim të përditshëm me Organizatën “Legis” dhe BFI është e hapur për bashkëveprim”- theksoi kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi. 
 
"Shpresojmë se me ndihmën tuaj dhe me ndihmën e organizatës tuaj humanitare do të mundemi së paku tua lehtësojmë sadopak tranzitimin  e tyre në vend dhe e dimë se edhe ata do të jenë mirënjohës për ndihmën dhe kujdesin që myslimanët në Maqedoni e tregojnë për ta, se BFI kujdeset për ta dhe, pa marrë parasysh ku jemi, ne veprojmë si një trup, duke ndihmuar njëri-tjetrin”- tha Mersida Smajlovic nga “Legis”. 
 
Përpos Shoqatës “Legis”, mirënjohje nga BFI morën për angazhimin e tyre për t’u ofruar ndihmë emigrantëve edhe Aleksandra Dalitkovska Gabriella, Aleksandrova, Lençe Zdrafkin dhe Jasmin Rexhepi.
 
Sulejman Rexhepi, përpos mirënjohjes që ua ndau, ai ju dhuroi edhe nga një libër të Kuranit në gjuhen maqedonase.
 
LUMTURIE HAJRO