Maqedoni
Izairi në kampin e refugjatëve në Gjevgjeli: të kyçen të gjithë për të tejkaluar situatën
27.08.2015 16:45
Në kampin për pritjen e refugjatëve në Gjevgjeli, me gjithë përpjekjet e autoriteteve dhe organizatave joqeveritare...

Në kampin për pritjen e refugjatëve në Gjevgjeli, me gjithë përpjekjet e autoriteteve dhe organizatave joqeveritare, kushtet janë të vështira për shkak të numrit të madh të njerëzve që kalojnë çdo ditë në këtë kamp, qoftë edhe për pak orë.
Kampi u vizitua nga ministri i Ekologjisë, Nuran Izairi, i cili erdhi të shohë nga afër gjendjen e refugjatëve dhe kushtet në të cilat ata jetojnë, sidomos cilësinë e ujit që përdorin dhe ambientin ku strehohen derisa hipin në trenat që i largojnë nga vendi.
“Erdha të bëj vizitë në kampin e refugjatëve, po i shoh njerëzit, po i shoh fytyrat e njerëzve të lodhura, ca edhe me muaj duke bredhur nëpër vendet e Evropës, por tani në këtë kamp ata po trajtohen mirë, deri sa të mund të transportohen nëpër destinacionet e tyre ku ata dëshirojnë. Gjykoj se duhet të kyçen edhe institucionet tjera, si UNHCR edhe shumë e shumë institucione tjera, që sa ma mirë ta tejkalojmë këtë situatë të refugjatëve”- deklaroi ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi.
Kampi i refugjatëve në Gjevgjeli u ngrit në fillim të javës pas insistimit edhe të organizmave ndërkombëtare dhe pas fluksit të madh të refugjatëve që fundjavën e kaluar kaluan net të tëra në kufirin mes Maqedonisë dhe Greqisë.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
