Maqedoni
MASh: Një numër simbolik i nxënësve të paregjistruar
27.08.2015 17:30
Në bazë të konkursit për regjistrim në shkolla të mesme, në afatin e dytë ka rreth pesë mijë vende të lira...

Çdoherë ka më shumë vende të lira se sa nxënës që përfundojnë shkollimin fillor, gjë që mundëson që nxënësit të përzgjedhin atë shkollë ku dëshirojnë të vazhdojnë shkollimin e mesëm.
Sipas këshilltarit në MASh, Safet Nezirit, ende nuk mund të përcaktohet saktësisht se sa vende të lira ka, pasi ka nxënës që janë regjistruar në shkolla të mesme private apo jashtë shtetit dhe pas marrjes së këtyre të dhënave do të dihet numri i saktë.
“Vende ka, numri nuk është aq i madh siç prezantohet, d.m.th. numri është simbolik i nxënësve të paregjistruar dhe ata që kanë mbetur pa regjistruar, që nuk i kanë plotësuar kushtet për regjistrim në drejtimet e gjimnazit”- deklaroi këshilltari në MASh, Safet Neziri.
Neziri u bën thirrje nxënësve që nuk janë regjistruar, të regjistrohen në shkollat e mesme profesionale ku ka perspektivë dhe oferta nga tregu i punës.
“Do të kisha apeluar të regjistrohen në shkollat e mesme profesionale, sepse ka vende atraktive dhe të lira ku munden të vazhdojnë shkollimin e tyre të mëtutjeshëm”- tha Neziri.
Prindërit që nuk do të regjistrojnë fëmijët e tyre për të vijuar shkollimin e mesëm do të gjobiten, bëjnë të ditur nga MASh.
FLUTURA LATIFI
