Maqedoni
“Prokurori special”, asnjë përafrim
27.08.2015 17:54
Partitë politike vazhdojnë të kërkojnë kornizë ligjore për prokurorin special...

Grupi i punës as sot nuk ia ka dalë të afrojë qëndrimet për arritjen e marrëveshjes politike rreth kësaj çështjeje.
LSDM, e cila fillimisht kërkonte që prokurori special të rregullohet me një ligj të posaçëm, në takimin e fundit të grupit ka dorëzuar propozim ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për prokuror publik, ndryshime me të cilat do të rregullohej edhe kjo çështje.
Mirëpo, VMRO-DPMNE-ja dëshiron që çështja e prokurorit special të rregullohet vetëm me akte nënligjore, në kuadër të Ligjit aktual, i cili mundëson formimin e sektorëve special brenda Prokurorisë Publike.
Ndërkaq, BDI mbetet e prerë se çështja e prokurorit special duhet të rregullohet me një ligj special. Këtë qëndrim e publikoi vetë ministri i Drejtësisë, nga radhët e BDI-së, Adnan Jashari.
Tani kur propozimi i LSDM-së është në tryezë, opozita maqedonase pret që VMRO-DPMNE dhe dy partitë shqiptare të japin qëndrimet dhe propozimet e tyre rreth tekstit të projekt/ligjit që kanë hedhur në tavolinën e bisedimeve. Ata thonë se janë të gatshëm për kompromis.
Megjithatë, përfaqësuesit politik në bisedime janë skeptik se marrëveshja mund të arrihet brenda afatit, edhe pse Piter Van Hojt, një ditë më parë ishte optimist dhe tha se palët vetëm ditëve të fundit janë angazhuar seriozisht në bisedime.
Sipas protokollit të Marrëveshjes së dy qershorit, prokurori special duhet të zgjidhet deri më 15 shtator. Nëse deri atëherë palët nuk bien dakord, nuk përjashtohet mundësia për arbitrim nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë për tejkalimin e krizës politike.
Pa arritjen e marrëveshjes politike për prokurorin special nuk do të bisedohen propozimet për kandidatët e mundshëm.
Sipas marrëveshjes së Përzhinos, kompetenca e prokurorit publik special do të jenë audio-xhirimet nga materialet e përgjuara dhe rasti “Puç”.
SHPËTIM NUREDINI
