Botë

VV aksion për Asociacionin, Vuçiq copëton Kosovën, Thaçi e Mustafa e ndihmojnë

27.08.2015 18:00

Aktivistët e “Vetëvendosjes” u mblodhën sot para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës për një aksion simbolik kundër marrëveshjes së nënshkruar nga kryeministri, Isa Mustafa...

Aktivistët e “Vetëvendosjes” u mblodhën sot para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës për një aksion simbolik kundër marrëveshjes së nënshkruar nga kryeministri, Isa Mustafa, dhe zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi, për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë.

Ata thanë se kjo marrëveshje nuk do i marrë Kosovës vetëm veriun, por edhe të gjitha komunat me shumicë serbe.

Sipas tyre, në këto komuna Kosova posedon pasuri natyrore të mëdha, të cilat me anë të kësaj marrëveshjeje do t’i kalonin për kontroll Serbisë, e cila do ta pamundësonte zhvillimin e mëtutjeshëm ekonomik të Kosovës.

Aktivistët me këtë rast vendosën një mur me hartën e Kosovës, të cilën e mbanin Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, kurse me anë të një guri të madh, në të cilin shkruhej “Zajednica”, Alesandër Vuçiq arriti ta copëtonte Kosovën.

Aktivisti i “Vetëvendosjes”, Valdrin Ahmeti, me këtë rast u shpreh se kjo marrëveshje, e cila u nënshkrua nga Mustafa, tregon se “Zajednica” është më e fuqishme se gjithë Qeveria e Kosovës.

Sipas Ahmetit, shkatërrimin e Kosovës e ka në dorë Vuçiqi, i cili po ndihmohet nga Mustafa dhe Thaçi.