Maqedoni

Samiti i Vjenës, BE-ja premton 600 milion euro për Ballkanin Perëndimor

27.08.2015 18:33

Nga Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor, kryeministrat e rajonit kanë dalë me një deklaratë të përbashkët...

Ata angazhohen për veprime të përbashkëta në të gjithë rajonin, për të hedhur ura afrimi mes të rinjve, si një aspekt i rëndësishëm për integrimin evropian, duke promovuar kështu vlerat evropiane.
 
Është propozuar që të ndiqen shembujt më të mirë evropianë për të shëruar plagët e së shkuarës dhe ecur përpara. Gjithashtu planifikohet krijimi i një zyre rajonale për bashkëpunimin rinor në Ballkanin Perëndimor, si dhe ndërtimin e një platforme për shkollimin profesional në fushat e IT-së, infrastrukturës, turizmit dhe energjisë, në përputhje me nevojat specifike të vendeve.
 
Në kuadër të Samitit, Bashkimi Evropian premtoi 600 milionë euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Paratë do të përdoren për projekte energjetike në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore.
 
Gjithashtu janë parashikuar 24 projekte që do të realizohen në vitet e ardhshme në vlerë prej 7,7 miliardë euro. Në mesin e tyre është edhe autostrada Nish-Prishtinë-Durrës, ndërtimi i së cilës duhet të fillojë së shpejti.
 
“Këto projekte do të hapin vende të reja pune dhe do të sjellin shpresën në rajon. Bashkimi Evropian dhe Komisioni mbështesin këtë dhe duke falënderuar konferencat e këtilla ne jemi edhe disa hapa para në arritjen e rezultateve”- tha kancelarja gjermane, Angela Merkel.
 
Në kuadër të biznes-forumit midis ministrave të Ekonomisë u fol edhe për zhvillimin ekonomik të rajonit. Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, është shprehur se Maqedonia ka prioritet projektet energjetike, si largpërçuesi drejtë Serbisë dhe largpërçuesi drejtë Elbasanit në Shqipëri dhe drejt Kosovës. 
 
Ndërkaq, zëvendëskryeministri, Vlladimir Peshevski, tha se 15 kompani austriake janë njoftuar për kushtet e zhvillimit të biznesit në Maqedoni.
 
“Ne sërish i prezantuam të arriturat tona dhe përparësitë në fushën e biznesit. I ftuam ata që të vijnë në Maqedoni dhe besoj nga kontaktet që realizuam do të rezultojnë me investime tjera në të ardhmen”- theksoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Vlladimir Peshevski.
 
Gjashtë kryeministrat janë shprehur për integrim sa më të shpejtë të vendeve të tyre në BE, por duke qenë të vetëdijshëm se mbetet akoma shumë punë për t’u bërë. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, thotë se për Ballkanin është e domosdoshme mbështetja e BE-së.
 
“Nuk e kam ndërmend të them se çfarë progresi kemi bërë, por Ballkani ka nevojë për një qasje strategjike nga Evropa. Kjo është mjaft e rëndësishme. Është e nevojshme që të hapim negociatat, sepse duhet t’i tregojmë të gjithëve se vendi ynë ndodhet në Evropë. Evropa nuk është një projekt ekonomik, është një projekt vlerash”- u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Pjesëmarrësit në samit ishin të njëzëri për tejkalim të ndasive dhe paragjykimeve. Ndërkaq u dëgjua edhe zëri i sektorit civil, i cili kërkoi nga liderët evropianë për më shumë liri të shprehjes dhe përfshirje më të madhe në realizimin e planeve të dala nga samiti.
 
MERAL ISMAILI