Maqedoni

Gostivar, hapet qendra e mirënjohur ETC

27.08.2015 18:37

Gostivari prej sot do të jetë më i pasur me një qendër tregtare...

Bëhet fjalë për qendrën e mirënjohur ETC, investim ky i Kompanisë kosovare “Elkos Grup”, e cila ka një shtrirje të gjerë në regjion.
 
Në hapjen solemne të kësaj qendre ishin të pranishëm kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, presidenti i Kompanisë “Elkos Group”, Ramiz Kelmendi, ambasadorët e Kosovës dhe Shqipërisë, Ylber Hysa dhe Fatos Reka, deputetë, funksionarë qendrorë dhe lokalë, si dhe shumë mysafirë të ftuar nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe shtetet e tjera të rajonit.
 
Para të pranishmëve, kryetari i Komunës, Nevzat Bejta, theksoi se: “Dita e sotme është një ditë e veçantë për qytetarët dhe ekonominë e qytetit të Gostivarit, pasi investimi i Kompanisë "Elkos" me vlerë prej 6 milion euro po bëhet realitet.
 
Kryetari  Bejta tha se sot Gostivari merr pamjen e një qyteti modern me hapjen e kësaj qendre tregtare bashkëkohore.
 
Presidenti i Kompanisë “Elkos Group”, Ramiz Kelmendi, deklaroi se fillimisht kompania ka angazhuar 100 punësime, duke paralajmëruar se në Maqedoni planifikohet të investohen rreth 50 milion euro dhe numri i të punësuarve të rritet në rreth 1000 për intervalin kohor prej 10 vitesh.
 
Fjalë përshëndetëse mbajti edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa, i cili mes tjerash theksoi se Gostivari si qytet i perspektivës ka arritur të ketë një qendër të tillë moderne tregtare.
 
Objekti është mbi 6000 m2 me gamë e gjerë e artikujve nga të gjitha kategoritë e blerjes, si: ushqimore, pije, higjienë, produkte për shtëpi, tekstil, veshmbathje, teknikë, mjete pune, lodra dhe shumë kategori të tjera.
 
Brenda kohës, kompania pritet të hapë edhe qendrën  grumbulluese për produktet ushqimore, pemë dhe perime.
 
Kompania “Elkos” me qendër në Prizren të Kosovës, funksionon nga viti 1990. Kjo kompani aktualisht ka shtrirje në Kosovë, Mal të Zi, Shqipëri dhe Maqedoni. Nga viti 2000, kompania filloi shkëmbime tregtare edhe me shtetet e Evropës.
 
LULZIM AZIRI