Maqedoni
BERZh sivjet ka investuar rreth 150 milionë euro
28.08.2015 13:42
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim sivjet ka investuar në Maqedoni nga 130 deri në 150 milionë euro...

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim sivjet ka investuar në Maqedoni nga 130 deri në 150 milionë euro, rreth 100 milionë euro më pak se vitin e kaluar, i cili konsiderohet si viti rekord që nga vënia e bashkëpunimit dypalësh. Investimet janë kryesisht në infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe energjetike.
Kryeministri, Nikolla Gruevski, dhe kryetari i Bankës Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim, Suma Çakrabarti, kanë shfrytëzuar Samitin e Ballkanit Perëndimor në Vjenë për të biseduar rreth projekteve vijuese dhe bashkëpunimin në përgjithësi.
“Në takimin me kryetarin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim shqyrtuam të gjitha projektet rrjedhëse. Kemi 17 projekte në realizim, të cilat kryesisht po realizohen mirë. Projektet që punojmë me BERZh-in janë nga fusha e rrugëve, autostradave, rrugëve lokale dhe rajonale; e dyta në fushën e hekurudhave dhe e treta në fushën e energjetikës, siç është p.sh. projekti ‘Ura e Boshkut’”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
Bashkëpunimi me Qeverinë e Maqedonisë është rezultat i angazhimeve për përmirësimin e klimës për investime dhe ngjitjes së vazhdueshme të vendit në tabelën e “Doing Busines”, tha kryetari i BERZh-it, Suma Çakrabarti.
“Mendoj se bashkëpunimi me Maqedoninë ka qenë shumë i mirë. Nëse shihni pas, gjatë gjithë periudhës së bashkëpunimit, BERZh ka investuar 1.4 miliardë euro investime në Maqedoni. Viti i kaluar ishte një vit rekord, kishim 250 milionë euro investime, në dhjetë projekte të sektorit publik dhe privat. Sivjet kemi investuar nga 130–150 milionë euro në dhjetë projekte të tjera”- tha Suma Çakrabati nga BERZh.
Sipas Çakrabat-it, Maqedonia implementon reforma të ndryshme për ta përmirësuar klimën investuese, prandaj shumë investitorë, duke e përfshirë edhe BERZh-in, dëshirojnë të investojnë në Maqedoni.
SHPËTIM NUREDINI
