Botë

Greqi, nis fushata zgjedhore, sondazhet favorizojnë Syrizan

28.08.2015 14:06

Betimi i qeverisë së re dhe shpërndarja e parlamentit, në mesditën e së premtes shënoi edhe zyrtarisht fillimin e fushatës elektorale në Greqi...

Anëtaret e rinj të kabinetit në drejtimin e gruas së parë, kryeministres së vendit, do të fillojnë menjëherë të kujdesen për një situatë normale deri në datën e zgjedhjeve, më 20 shtator.

Si asnjëherë tjetër, skena politike greke shfaqet kaq kaotike dhe e shpërbërë për arsye të zhvillimeve të fundit në vend dhe dështimit në përballimin e krizës ekonomike nga sistemi politik.

Këtë e tregon edhe sondazhi i parë zyrtar i Gazetës së Redaktorëve që u publikua në mëngjesin e së premtes. Vendin e parë në këtë sondazh e zë numri i të pavendosurve, 25.5 %.

Me gjithë përçarjen e madhe që pësoi, Syriza përsëri kryeson, duke përqendruar 23 % të votave, në vend të dytë konservatorët e Demokracisë së Re me 19.5 %, Agimi i Artë me 6.5 për qind, ndërsa luftojnë pas saj me diferenca të vogla komunistët me 5 për qind, socialistët e PASOK-ut me 4.5 për qind etj.

Ish kryeministri Tsipras beson se grekët do t’u kthejnë kurrizin përfundimisht partive tradicionale, që, sipas tij, shkatërruan vendin në katër dekadat e fundit.

VLORA LATIFI-TOPOJANI