Botë
Libi, mbyten dy anije me 500 klandestinë, 200 emigrantë të vdekur
28.08.2015 14:25
Tjetër tragjedi në detin Mesdhe për klandestinët. 2 anije të tejmbushura me rreth 500 emigrantë...
Tjetër tragjedi në detin Mesdhe për klandestinët. 2 anije të tejmbushura me rreth 500 emigrantë nga Afrika dhe që ishin nisur drejt Italisë janë mbytur pranë brigjeve libiane, duke shkaktuar më shumë se 200 të vdekur.
Një zyrtar nga qyteti Zuvara, prej ku ishin nisur anijet, tha se në bordin e njërës ishin rreth 400 persona. Sipas autoriteteve, shumë prej tyre ishin bllokuar nën ujë dhe nuk mundën të shpëtonin.
Roja bregdetare libiane arriti të shpëtonte 200 prej klandestinëve, pjesa më e madhe e të cilëve u transportuan në një qendër pritjeje në perëndim të Tripolit. Një prej të mbijetuarve tha për “Reuters” se ishte i vetëdijshëm që udhëtimi do të ishte i rrezikshëm, por nuk kishte asnjë rrugë tjetër.
Ai tha se anija nuk ishte në kushte të mira dhe e tejmbushur me klandestinë. Roja bregdetare italiane që po koordinon operacionet në Mesdhe nuk mundi të konfirmonte ngjarjen, por një zëdhënës i “Hënës së Kuqe” tha se 198 persona ishin shpëtuar nga mbytja.
Ndërkohë, të mërkurën trupat e rreth 50 klandestinëve të tjerë u gjetën në brigjet libiane. Një anije e rojës bregdetare suedeze transportoi viktimat në portin italian të Palermos, ndërsa arriti të shpëtonte edhe 400 klandestinë të tjerë që rrezikonin të mbyteshin.
Mijëra emigrantë nisen çdo ditë nga brigjet libiane drejt Evropës në një udhëtim që nga shumë refugjatë konsiderohet si rruga e vdekjes.
Roja bregdetare e Libisë nuk është e përgatitur për të përballur me fluksin e klandestinëve pasi kapacitetet e saj me anije janë të pakta.
Mijëra emigrantë të tjerë po qëndrojnë në qendrat e përshtatura nga qeveria e Tripolit, të cilat nuk ofrojnë as kushte më minimale të jetesës.
BELINDA KOKA-ADEMI
