Botë
Ndërroi jetë akademiku, Mark Krasniqi
28.08.2015 14:48
Ka ndërruar jetë në moshën 95 vjeçare akademik, Mark Krasniqi, njëri nga personalitetet e njohura jo vetëm të shkencës...

Ka ndërruar jetë në moshën 95 vjeçare akademik, Mark Krasniqi, njëri nga personalitetet e njohura jo vetëm të shkencës, por edhe të politikës në Kosovë, i cili gjithë jetën ia kushtoi çështjes e idealeve kombëtare.
Më 1945-1946, Mark Krasniqi ka qenë gazetar-redaktor i gazetës “Rilindja” në Prizren, kurse prej vitit 1947-l949 ka punuar në Radio-Beograd (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe) si gazetar-redaktor. Prej 1950-1961 si asistent ka punuar në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd, pastaj si bashkëpunëtor shkencor.
Ka diplomuar më 1950 në Beograd, kurse më 1960 ka doktoruar në universitetin e Lubjanës. Prej 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, kur pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga procesi mësimor. Ka qenë disa herë prodekan e dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik.
Ka qenë nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës.
Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Ka botuar mbi 20 libra shkencore, letrare, publicistike e tekste shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish nga serbishtja e sllovenishtja në gjuhën shqipe.
Personalitetet publike e politike nga mbarë trevat shqiptare e kanë konsideruar vdekjen e Krasniqit si një humbje të madhe për Kosovën dhe mbarë shqiptarinë.
ZËRIETA JAHJAGA
