Maqedoni
Vjenë, Samiti për Ballkanin Perëndimor, Gruevski: Nisma e Berlinit, impuls për integrimin e rajonit
28.08.2015 15:18
Kryeministri, Nikolla Gruevski, e sheh nismën e Berlinit si një impuls për të inkurajuar dhe ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor...

Kryeministri, Nikolla Gruevski, e sheh nismën e Berlinit si një impuls për të inkurajuar dhe ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor, që të përgatiten sa më shpejtë që të jetë e mundur për anëtarësim në BE.
Sipas tij, me rëndësi të veçantë është përkrahja që partnerët strategjikë të BE-së e japin përmes procesit të Berlinit, si përmes kujdesit politik, ashtu edhe përmes vëmendjes në ekonomi, biznes dhe investime.
“Kjo është një mundësi e mirë që shumë kryeministra nga rajoni të takohen, të këmbejnë mendime dhe të diskutojnë problemet dhe tejkalimin e tyre ose për sfidat që na presin. Gjithashtu, të realizojmë kontakte me vendet kryesore të BE-së. Nisma e Berlinit vazhdon edhe më tej. Ajo është një impuls për të ndihmuar vendet në rajonin tonë, përfshi edhe shtetin tonë, që sa më shpejtë të përgatiten për t’u anëtarësuar në BE”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
Kryeministri Gruevski në Vjenë është takuar edhe me diasporën maqedonase për t’i bindur se nuk heqë dorë nga deputetët e diasporës, madje angazhohet që ata të jenë pjesë edhe më aktive në jetën politike në vend.
“Diaspora ka të drejtë për përfaqësues të saj. Ne do të vazhdojmë të luftojmë, të paktën këta tre deputetë të cilët tani i keni të vazhdojnë t’ju përfaqësojnë dhe qytetarët e Maqedonisë që jetojnë jashtë shtetit të kenë përfaqësues të tyre dhe në këtë mënyrë të marrin pjesë në jetën politike në Maqedoni. Deri tani kemi përfaqësim simbolik, një përfaqësues nga Evropa, një nga Amerika dhe një nga Australia, dhe nëse më pyetni mua, unë konsideroj se numri i përfaqësuesve duhet madje edhe të jetë më i madh, megjithatë tani për tani nuk kemi unitet për këtë çështje në shtet midis partive politike”- theksoi Gruevski.
SHPËTIM NUREDINI
