Maqedoni

Dita e Minatorëve, ministri Neziri ndan mirënjohje për më të mirët

28.08.2015 15:49

Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, sot mori pjesë në kremtimin qendror të Ditës së Minatorëve të Maqedonisë, që u zhvillua në minierën “Buçim” në Radovish...

Ministri Neziri, duke iu uruar ditën e tyre minatorëve, tha se xehetaria është sektor i rëndësishëm në zhvillim ekonomik të vendit.
 
Në Maqedoni ka më shumë se 150 miniera aktive, ndërsa vetëm gjatë vitit 2015 janë ndarë 15 koncesione për hulumtime të hollësishme gjeologjike dhe 35 koncesione për eksploatimin e lëndëve të para minerale, ndërsa janë bërë ndryshime në Ligjin për burimet minierale në drejtim të adaptimit me politikën e re penale.
 
“Me ndryshimet në Ligjin për burime minierale në drejtim të adaptimit me politikën e re penale, unë personalisht besoj se me  uljen e dënimeve do të kontribuojmë në përmirësimin e kushteve të biznesit në sektorin e xehetarisë, por sidomos në luftimin e konkurrencës jolojale në këtë sektor”- tha ministri i ekonomisë, Bekim Neziri.
 
Minatorët përfaqësojnë burim të çmuar njerëzor dhe ne jemi të detyruar që t’u sigurojmë kushte më të mira për punë në mënyrë që t’i shpërblejmë ata për përkushtimin e tyre profesional dhe përgjegjësinë.
 
Për këtë shkak edhe këtë vit ne i shpërblejmë me mirënjohje, tha Neziri, duke u ndarë “Mirënjohjet për më të suksesshmit” 16 minatorëve më të suksesshëm, të nominuar nga punëdhënësit e tyre në pajtim me të arriturat e tyre në vitin e kaluar. 
 

MERAL ISMAILI