Maqedoni
Hasanbeg, banorët bllokojnë rrugën, kërkojnë rregullimin e kanalit
28.08.2015 16:32
Banorët e lagjes Hasanbeg në mënyrë të revoltuar kanë bllokuar rrugën kryesore të lagjes së tyre në shenj proteste...

Banorët e lagjes Hasanbeg në mënyrë të revoltuar kanë bllokuar rrugën kryesore të lagjes së tyre në shenj proteste për mosmarrjen e masave konkrete për rregullimin e kanalit i cili kalon në prag të shtëpive të tyre.
Sipas banorëve, ky është problem shumëvjeçar, i cili shkakton dëme të mëdha dhe rrezik për fëmijët dhe shëndetin e tyre. Ata gjithashtu thonë se për këtë problem komuna është njoftuar mbi 100 herë me shkrim dhe në mënyrë direkte në komunë dhe nuk ka marrë asnjë hap për rregullimin e kanalit.
“Komuna është e njoftuar më së paku 100 herë, me shkrim, me gojë dhe personalisht atje, dhe nuk kanë marrë kurrfarë masa. Do të bëhet, do të rregullohet . Kjo bllokadë që është bërë nuk është bërë në emër tim personal dhe unë nuk po kërkoj diçka që nuk më takon, por që na takon të gjithë ne. Kam edhe letër prej policisë të cilët i kam informuar dje dhe na lejohet të bllokojmë rrugën prej orës 13 deri në orën 16:00 dhe kjo do të vazhdojë deri sa Qeveria ose Komuna e Gazi Babës nuk vjen ta kryej këtë problem të gjithmonshëm”- deklaroi banori i lagjes së Hasanbegut, Adem Ismaili.
Banorët paralajmërojnë se do të vazhdojnë të bllokojnë rrugën deri sa nuk merren hapa konkrete për rregullimin e kanalit në lagjen e tyre.
“Këtu 50 metra nuk ka te shpija, nëse doni ejani shihni se nuk mundet me ndejt as 1 minutë në aksham prej erës së keqe”- theksoi një banor.
“Çdo ditë kemi me dal në protesta, deri sa të plotësohen kushtet, sepse nuk jetohet atje, fëmijët nuk munden me dal në oborr të vet”- u shpreh një banor.
Banoret e lagjes Hasanbeg gjithashtu kanë apeluar deri te komuna e Gazi Babës që mjetet e tyre për të cilat kontribuon edhe lagjja Hasanbeg t’i ndajnë nëpërmjet investimeve transparente dhe jo sikurse deri më tani, ku 100% e mjeteve ndahen nëpër lagjet e banuara me banorë të etnitetit maqedonas.
BESIM ABDULLAI
