Maqedoni
Instituti Alb Shkenca tubon 300 shkencëtarë nga të gjitha trojet shqiptare
28.08.2015 16:53
“Bashkëpunimi shkencor mbarëkombëtar në funksion të përparimit të mirëkuptimit ndërkombëtar” ishte tema e konferencës shkencore të Institutit Alb Shkenca, ku marrin pjesë 300 shkencëtarë nga të gjitha trojet shqiptare.

“Bashkëpunimi shkencor mbarëkombëtar në funksion të përparimit të mirëkuptimit ndërkombëtar” ishte tema e konferencës shkencore të Institutit Alb Shkenca, ku marrin pjesë 300 shkencëtarë nga të gjitha trojet shqiptare.
Komunikimi i ndërsjellë i shkencëtarëve ndikon në lindjen e partneriteteve që janë parakusht për aplikim në projekte ndërkombëtare. Rëndësi e veçantë po u kushtohet reformave në arsimin sipëror në Maqedoni dhe Kosovë, sepse kuantiteti është arritur, por nevojitet cilësi e programeve studimore.
“U konstatua që jo të gjitha këto universitete i plotësojnë kriteret e parapara me ligj dhe jo të gjithë japin diploma në bazë të meritës, më tepër shtypin se japin diploma me dije. Dua të pranoj publikisht se reagimet nuk i prisja nga universiteti publik, por nga universitet private, përkundrazi, nga ata nuk kishte reagime, sepse prisnin që dikush tjetër të reagojë dhe të kryejë punën e tyre”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
“Kemi nevojë të krijojmë një identitet kombëtar në arsimin e lartë. Kemi nënshkruar marrëveshje me ministrin Ademi, marrëveshje për arsimin e lartë, që tenton të krijojë një integrim kombëtar mbi baza të nevojave reale, duke iniciuar edhe njohjen e diplomave dhe krijimin e programeve të përbashkëta”- tha ministri i Arsimit në Kosovë, Arsim Bajrami.
Takimet e tilla janë mundësi e shkëlqyer që shkencëtarët të shkëmbejnë përvoja dhe njohuri të reja që do ta shpijnë shoqërinë përpara.
“Me bashkëpunimin dhe punën tonë të përbashkët intensive përforcohet themeli i këtij institucioni shkencor me tri qendrat, Tiranë, Prishtinë, Shkup të cilat mundësojnë paraqitjen e të arriturave shkencore të studiuesve dhe këmbimin e përvojave”- theksoi Shpresa Hoxha nga dega e IASH-Kosovë.
“Edhe ky takim sivjet, unë shpreh bindjen se do t’i përfundojë me sukses punimet, ashtu siç kemi krijuar tashmë një eksperiencë solide të viteve të kaluara”- u shpreh Ardian Maci nga Dega e IAK- Shqipëri.
“Të ketë një bashkëpunim ndërthurjeje e akademikëve shqiptarë që jetojnë jashtë trojeve shqiptare dhe atyre këtu, se ne më mirë se kushdo e dimë mbarëvajtjen dhe ecjen dhe mbarëvajtjen e arsimit dhe shkencës në Shqipëri”- tha drejtor nderi i IASH-së, Niko Qafoku.
Konferenca u përkrah nga UShT, UEJL, Komuna e Çairit dhe MASh-i dhe konkluzionet do të botohen në revistën shkencore të Institutit Alb Shkenca “Aktet”.
FLUTURA LATIFI
