Maqedoni
Rasti “Monstra”, Raufi: Presim lënda të kthehet në rishqyrtim
28.08.2015 17:30
Avokati mbrojtës në rastin”Monstra”, Naser Raufi, pret që Gjykata e Apelit pas 11 shatorit të kthejë lëndën në rishqyrtim në shkallën e parë ose të lirojë të akuzuarit nga akuza...

Raufi edhe më tej deklaron se të akuzuarit janë të pafajshëm, ndërsa Gjykata e Penale i dënoi ata edhe pse nuk dispononte prova për rastin.
Raufi pret që lideri i opozitës, Zoran Zaev, të mbajë premtimin e dhënë dhe materialet e përgjuara, për të cilat shpreh dyshime të forta se ky rast është i montuar, t’ia dorëzojë prokurorit special.
“Ne avokatët si dhe të akuzuarit presim që Gjykata e Apelit në seancën ankimore ta rikthejë këtë lëndë, të vendoset te grada e parë edhe një herë sipas ligjit. Në këtë rast ka shumë shkelje të Kodit Penal së pari, por edhe të Ligjit për procedurën penale. Ju e dini që afati për zgjedhjen e prokurorit special është deri më 15 shtator, ndërsa seanca është caktuar për më datën 11. Unë besoj se para seancës do të zgjidhet dhe do të dihet se kush është prokurori special dhe do të realizohet premtimi që kemi nga lideri i opozitës se këto prova do të dorëzohen në mënyrë direkte të ky person që do të zgjidhet”- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Raufi u shpreh se është shumë e rëndësishme që këto prova sa më parë të arrijnë në Gjykatën e Apelit, duke shprehur besim për këtë institucion.
“Mendoj se është e mjaftueshme që deri në këtë moment, deri më datën 11, që provat të dorëzohen te Gjykata e Apelit dhe mandej trupi gjyqësor do t’i analizojë dhe sipas provave që posedon do të vendosë, ose do të kthejë lëndën në rishqyrtim, ose do të lirohen nga akuza. Unë kam thënë edhe më herët se kam besim tek Gjykata e Apelit që është me gjykatës ekspertë. Ju e dini që në gradën e parë janë dy gjykatës dhe tre janë porotë dhe e dini që ky rast prej fillimi është i montuar dhe montimi, sipas meje, është në gradën e parë. Me vetë këto prova që janë në këtë lëndë mendoj se Apeli do ta kthejë këtë lëndë, që t’i lirojë këta të akuzuar”- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Ndryshe, Gjykata e Apelit për më tepër se një vit është duke e zvarritur shqyrtimin e ankesave të ngritura nga të akuzuarit e rastit “Monstra” dhe avokatët e tyre.
Paraprakisht, Gjykata e Apelit anuloi seancën publike e cila ishte paraparë të mbahet me datën 6 korrik.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
