Botë

Trupat e pajetë në mjetin frigoriferik, Austria: mbi 71 refugjatë të asfiksuar

28.08.2015 17:47

Numri i trupave të gjetur në kamionin e braktisur në një autostradë të Austrisë është edhe më i madh nga sa u mendua fillimisht...

Fillimisht u mendua se mjeti mbante deri në 50 viktima, por numri i fatkeqësive rezulton të jetë edhe më i lartë se kaq.
 
71 kufomat e mbyllura në mjetin frigoriferik, me të gjitha gjasat janë emigrantë, por verifikimet vazhdojnë.
 
Autoritetet austriake po përpiqen të përcaktojnë nëse vdekjet kanë ardhur si pasojë e asfiksimit, apo kanë ndodhur që përpara se trupat të vendoseshin në kamion.
 
Mendohet se personat brenda kamionit duhet të kenë qenë të vdekur prej gati dy ditësh, e ndoshta asnjëri prej tyre nuk ka qenë i gjallë në momentin kur mjeti kaloi kufirin austriak nga Hungaria.
 
Kamioni mban logon e një kompanie sllovake shpezësh, “Hyza”, e cila pretendon se prej kohësh nuk e ka më në zotërim mjetin në fjalë, ndërsa blerësit duket se nuk e kanë hequr markën e saj. 
 
Qindra  emigrantë, të larguar nga vende të përfshira prej konflikteve në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, përpiqen të hyjnë në Evropë këto muajt e fundit duke u paguar shuma të majme parash trafikantëve që t’i kalojnë ilegalisht në kontinentin e vjetër.
 
Dje në Samitin e Vjenës, kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjetjen e kamionit me trupat e pajetë e cilësoi si “një lajm të tmerrshëm”.
 
“Ky është paralajmërim për ne që ta zgjidhim sa më shpejt ngërçin e emigrantëve në frymën evropiane, që do të thotë një frymë solidariteti”- u shpreh ajo.