Maqedoni
Modeli zgjedhor, Ademi: BDI zhvillon debat të hapur për modelin zgjedhor
28.08.2015 18:08
Edhe brenda strukturave të BDI-së është duke u zhvilluar debat i hapur mbi modelin zgjedhor, deklaron sekretari i përgjithshëm i partisë, Abdylaqim Ademi...

Sipas Ademit, debatohet në gjuhën e fakteve dhe argumenteve edhe përkundër qëndrimit fillestar të BDI-së që të mbetet modeli aktual zgjedhor me gjashtë njësi zgjedhore me lista të hapura.
“Debati që zhvillohet për Kodin Zgjedhor, duke inkuadruar këtu edhe njësitë zgjedhore, është debat i hapur. Është i hapur edhe në BDI. Debati kryesisht zhvillohet në bazë të argumenteve dhe në bazë të rezultateve të deritanishme, që jo gjithmonë mund të parashikohet edhe për të ardhmen, sepse ky sistem zgjedhor është i tillë, që varet shumë nga lista e konkurruesve, pra listat për deputetë, dhe dalja e votuesve, që jo gjithmonë është e njëjtë në ciklet zgjedhore”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abylaqim Ademi.
Ademi thekson se në marrjen e vendimit përfundimtar duhet të kihet kujdes të mos rrezikohet shumica e dyfishtë në parlament. Kjo nënkupton dominimin e numrit të deputetëve shqiptarë ndaj deputetëve të tjerë të bashkësive më të vogla etnike.
“Në cilindo sistem, ne duhet të jemi të kujdesshëm të mos e rrezikojmë shumicën e dyfishtë, veçanërisht shqiptarët të mos rrezikojnë që të jenë më pak se sa bashkësitë e tjera më të vogla etnike të përfaqësuara në parlament, sepse kjo do të rrezikonte shumë procese që kanë të bëjnë edhe me Marrëveshjen e Ohrit, por edhe me të drejtat etnike”- tha sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abylaqim Ademi.
LSDM është shprehur për modelin proporcional me një njësi zgjedhore ku do përfshihet edhe diaspora.
Ndërkaq, VMRO-DPMNE është për modelin e shumicës me një njësi zgjedhore.
MERAL ISMAILI
