Rregulla të reja në komunikacion, qytetarët shprehen pro gjobave
Vozitësit do të përballen me ligje të reja në komunikacion...

Ndryshimet ligjore parashikojnë gjoba më të mëdha për përdorimin e telefonit gjatë vozitjes, gjoba për mos vënien e rrypit të sigurisë, gjithashtu mes ligjeve të reja është sjell edhe heqja e ligjit që parashikonte ndezjen e dritave të veturave gjatë ditës.
Ligji i ri parasheh përdorim të detyrueshëm të dritave prej perëndimit të parë të diellit e deri në agim të plotë. Ekipi i TVM2 doli në terren për të pyetur shoferët rreth këtyre ligjeve.
Ata vlerësojnë se ndryshimet ligjore në komunikacion janë pozitive, por theksojnë se qeveria duhet të ndërmarrë masa tjera pos dënimeve, duke edukuar më tepër shoferët, si dhe thonë se duhet gjobuar secili pa anashkalime.
“Ajo për dritat në rregull është, s’ështe problem. Ndërsa sa për telefonin edhe ajo është në rregull se vetëm nuk e di se çfarë dënimesh kanë ndërmarrë, por çfarë mund të mbërinë me atë, veç me dënime nuk bëhet asgjë si mos të mendoje vet njeriu se nuk bën me fol në telefon atëhere është kot dënimi. Dënimi është vetëm për ti marrë paratë asgjë tjetër. Edukim po pastaj dënim”.
“Mirë është ajo pa drita me vozitë. Në Evropë askund nuk vozitet me drita”.
“Duhet të jetë më mirë, mirëpo ai që gjobohet nuk gjobohet, ato që i bëjnë ato punë i bëjnë çdoherë, jam çdo ditë në komunikacion, ato që i bëjnë ato punë dhe i thotë policit ec mos më shurdho, ai nuk gjobohet asnjëherë, çdoherë gjobohen ato njerëzit që janë të vobektë” - u shprehën disa nga qytetarët e intervistuar nga TVM2.
Sa i përket ligjit që parasheh dënime më të mëdha për ata që flasin në telefon duke vozitur, qytetarëlt shprehen se ligjet e tilla janë pozitive, pasi që ka shumë raste ku bëhen aksidente si pasojë e telefonit.
“Ke diçka punë personale apo biznis, ti nuk mund të flasësh në telefon duke vozitur, kjo nuk është mirë. Duhet me ndalu veturën dhe me fol, më së miri është ashtu”.
“Pozitive është ajo smundet ashtu. A don me fol në telefon, ndale veturën fol si njeri, merru vesh edhe merre kerrin ec. Ta lëndosh njeriun duke vozitë dhe fol në telefon, duke folur mund të nervozohesh, të fyesh dhe pastaj të humb përqendrimi nuk është mirë” – thanë disa nga qytetarët e intervistuar nga TVM2.
Gjoba për përdorimin e telefonit gjatë vozitjes parashihet të jetë 40 euro apo 25 pikë negative. Vozitësit që nuk përdorë rrypin e sigurisë do të gjobitet me 40 euro apo 25 pikë negative, ndërsa për shoqëruesin e vozitësit dënimi do të jetë 50 euro.
Gjoba për penguesit e vozitësit do të jetë 50 euro. Ndërsa dënime në vlerë të 200 eurove janë paraparë për ato që nuk ua lëshojnë rrugën këmbësorëve. (Ersan Pajaziti, TVM2)
