KB në mundje për kadetë: Eliminohet Minir Rexhepi

29.08.2015 19:10

Minir Rexhepi nuk pati fat dhe u ndesh me njërin prej favoritëve kryesor në kategorinë deri në 58 kilogram, duke përjetuar disfatë dhe u eliminuar, në Kampionatin Botëror për kadetë në mundje, I cili këtyre ditëve është duke u zhvilluar në Sarajevë të Bosne e Hercegovinës...

Mundësi i klubit të Lirisë, në raundin eliminator ishte i lirë, që më pas, në 1/8 e finales, të takohet me iranianin Amirhossein Kavousi, nga I cili humbi me superioritet teknik.

Më pas, Kavousi arriti vetëm deri në gjysëmfinale, ku u mund nga japonezi Jintaro Motoyama, kështu që Rexhepi e humbi mundësinë që të paraqitet edhe në repasazh. Nga ana tjetër, dy garuesit tjerë të Maqedonisë, Elmedin Sejfullau dhe Ramadan Mustafovski, do të paraqiten nesër. Mustafovski, nga klubi i mundjes Tefejuz, do të garoj në kategorinë deri në 76 kilogram, ndërsa atuja kryesore e Maqedonisë edhe në këtë evenimet dhe shpresa më e madhe e mundjes në vendin tonë, Sejfullau, do të garoj në kategorinë deri në 54 kilogram.

Trajneri i tij nga klubi i Lirisë si dhe seleksionuesi i Maqedonisë për kadetë, Sedat Baftiu, është shprehur që në Botëror, konkurenca është shumë e madhe, por edhe se me një short të mirë, Elmedini, mund të na gëzoj të gjithëve me rezultat.

Garat eliminatore në ditën e fundit të Kampionatit Botëror për kadetë, gjatë ditës së nesërme, do të nisin në orën 10.00.