KTHIMI I OPOZITËS NË KUVEND

Ibrahimi: LSDM pjesë e ligjvënësit nga Shtatori

30.08.2015 15:29

Opozita maqedonase më një shtator do të kthehet në kuvend edhe përkundër faktit që akoma nuk është arritur marrëveshje për kodin zgjedhor e në veçanti nuk janë përafruar qëndrimet për prokurorin special...

Njohësi i zhvillimeve politike Selim Ibrahimi thotë se LSDM do ti përmbahet marrëveshjes së dy qershorit për t’iu rikthyer debatit parlamentar, pasiqë me palët tjera negociuese ka përafruar qëndrimet për më shumë çështje.

“Me presionin e bashkësisë ndërkombëtare pra SHBA-ve, opozita do të kthehet në parlament. Ndoshta tani për tani duken disa shenja se nuk do të ketë kthim mirpo besoj që opozita do të kthehet në parlament dhe do ta vazhdojë politikën e denjë brenda në institucion deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kthimi i opozitës në parlament do ta qartësonte situatën në Maqedoni dhe do ti shpiente shumë procese drejt zgjidhjes pra të kenë zgjidhje politike” – tha analisti, Selim Ibrahimi.

Gjatë javës kuvendi miratoi mbi 200 ligje me procedurë të përshpejtuar. Analisti Ibrahimi thotë se miratimi i ligjeve pa debat mund të dëmtojë procesin negociues në të cilin ka hyrë Maqedonia, ndërsa VMRO po tenton të mbizotërojë partitë tjera.

“Të gjitha këto ligje të cilat miratohen në një procedurë të shpejtë, këto në një situatë më të qetësuar politike mund të shfuqizohen, prandaj kjo në përgjithësi mund ti shkon në dëm të situatës dhe ndoshta nuk e favorizon LSDM-në dhe partitë tjera opozitare në betejën politike” – u shpreh analisti, Selim Ibrahimi.

Kthimi i LSDM-së në kuvend duhet ti paraprijë zgjedhjes së prokurorit special i cili duhet të përzgjidhet më së voni deri më 15 shtator, me pëlqimin e katër subjekteve politike të përfshira në bisedime. LSDM ka kërkuar që prokurori special të rregullohet me ndryshime dhe plotësime të ligjit për prokuror publik. VMRO – DPMNE këmbëngul që kjo çështje të rregullohet vetëm me akte nënligjore, në kuadër të ligjit aktual.

Analisti Ibrahimi thotë se beteja e ardhshme mbetet mbi precizimin e fuqisë, mandatit dhe kompetencat e prokurorit special, edhe pse marrëveshja e Përzhinos parashikonte që prokurori special të meret me përgjimet dhe rastin “Puç”. (Meral Ismaili, TVM2)