Libi, mbytet një tjetër anije me emigrantë, 37 të vdekur

31.08.2015 10:02

Një anije me emigrantë është mbytur në brigjet mesdhetare të Libisë, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 37 personave...

Fillimisht, peshkatarët libianë gjetën trupat e 7 personave dhe dhanë alarmin tek autoritetet policore, të cilat erdhën menjëherë në vendngjarje për të ndihmuar të mbijetuarit eventualë.

Trupat u gjetën në zonën Khoms, në lindje të Tripolit, por anija që i ka sjellë ata nuk është vërejtur nga askush dhe nuk dihet se sa njerëz ka pasur ajo në bord. Peshkatarët më pas zbuluan 30 trupa të tjerë në të njëjtën zonë.

Vullnetarë të “Hënës së Kuqe” u përpoqën të merrnin trupat, por u mungonin varkat. Ky incident ndodhi vetëm pak ditë pas tragjedisë së njëjtë me refugjatët kur në brigjet libiane u mbyt një anije me emigrantë në përpjekje për të kaluar nga Libia për në Itali, duke lënë të vdekur 200 persona.

BE, ndërkohë, ka bërë thirrje për bisedime urgjente për të luftuar përshkallëzimin e krizës së emigrantëve. Ministrat e Brendshëm nga 28 shtetet anëtare të BE-së do të mbajnë një mbledhje të jashtëzakonshme më 14 shtator, pasi kriza ka arritur në përmasa të larta.

Kjo mbledhje e jashtëzakonshme vjen pas një javë ku qindra emigrantë u mbytën në Mesdhe dhe 71 persona vdiqën në një kamion në Austri.

Një numër rekord prej 107 mijë e 500 emigrantësh arriti në kufijtë e Unionit  muajin e kaluar. OKB ka deklaruar se konflikti i vazhdueshëm në Siri është një nga faktorët që ka rritur numrin e emigrantëve të cilët largohen për një jetë më të mirë, por përfundojnë në tragjedi. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)