Hungari, teli me gjemba nuk funksionon, rreth 4000 emigrantë kalojnë kufirin

31.08.2015 13:20

Gardhi 177 km i gjatë i ndërtuar nga autoritetet hungareze për të mbajtur larg emigrantët ilegalë është vetëm një pengesë më shumë, por nuk është i pakapërcyeshëm...

Frikë nga gardhi nuk ka askush. Teli me gjemba është rreth një metër i lartë dhe brisk i mprehtë. Por, emigrantët e ngrenë atë dhe kalojnë poshtë tij. Duket se asgjë nuk i pengon ata të arrijnë në destinacionin përfundimtar, në vendet e BE-së.

“Ne ngritëm telin me gjemba dhe kaluam poshtë tij. Jemi të uritur, nuk kemi ushqim as qumësht për fëmijët. Jemi shumë të lodhur. Duam të arrijmë në Gjermani ose në Angli, nuk duam të rrimë këtu, por gjithandej ka polici. Nuk bëjmë dot asgjë, për momentin po ikim prej policisë”- u shpreh një emigrant.

Emigrantët nuk e kalojnë kufirin falas. Ata tregojnë se njerëz të caktuar i marrin e u tregojnë se ku është pika me më pak kontrolle në gardhin me gjemba. Ka njerëz që paguajnë edhe 4500 euro për të arritur sigurt në Gjermani.

Për ata që nuk kanë shumë para ka edhe oferta më të lira prej 50-100 euro, por për ta trafikantët nuk japin siguri për arritje në destinacionin final dhe paratë nuk i kthejnë më. Prej mjerimit të refugjatëve përfitojnë jo vetëm trafikantët, por edhe policët serbë të trafikut. Ata i ndalojnë taksitë që shkojnë në Suboticë dhe kërkojnë nga 100 euro për çdo refugjat të fshehur në taksi.

Deri tani gardhi kufitar hungarez ka qenë i suksesshëm vetëm në pengimin e kafshëve të egra, sepse refugjatët i përdorin të gjitha metodat për ta kapërcyer atë. Malli më i shitur për momentin në Suboticë janë gërshërët për prerjen e telave me gjemba. (Valide Limani, TVM2)