Çarls Garret: Implementimi i marrëveshjes, testi kyç për RM-në

31.08.2015 15:41

Mungesa e deklaratave nuk do të thotë se nuk ka përparim në bisedimet mes partive politike. Kështu vlerëson ambasadori britanik, Carls Garret, në një intervistë për radion “Dojçe Vele”...

Me një optimizëm të matur, Garret thotë se gjithsesi bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe duhet vullnet dhe kompromis nga të gjitha palët në bisedime për t’u tejkaluar dallimet mes qëndrimeve të tyre.

“Marrëveshja e 2 qershorit është një tërësi. Mendoj se kemi shembuj konkret të pjekurisë politike dhe institucionale. Vetë marrëveshja e Përzhinos e 15 qershorit është një shembull i tillë. Për atë marrëveshje duhej fleksibilitet dhe guxim nga të gjitha palët. Bisedimet e grupeve të punës janë një tjetër shembull në këtë drejtim. Megjithatë, testi i vërtetë do të jetë arritja e marrëveshjes përfundimtare. Implementimi i saj është çështja kryesore”- deklaroi ambasadori Garret.

Ambasadori britanik vlerëson se Bashkësia Ndërkombëtare do të vazhdojë të ndihmojë Maqedoninë në zbatimin e ndryshimeve. Por, suksesi mund të vijë vetëm nga brenda. Sipas tij, raporti i Pribesë i jep Maqedonisë një mundësi unike.

“Raporti Pribe është i saktë, i sinqertë dhe i hapur. Unë nuk mendoj për ndonjë vend që është në tranzicion, i cili ka marrë një vlerësim të tillë dhe të dobishëm. Përgjegjësia qëndron te Maqedonia, që ta shfrytëzojë raportin e Pribesë për ta lëvizur vendin drejt një të ardhme më të mirë'- tha Garret.

Edhe qeveria edhe opozita duhet ta kenë të qartë se nuk mund të shtyjnë implementimin e marrëveshjes së Përzhinos, por duhet të punojnë bashkërisht për ta përmbushur këtë marrëveshje, thotë ambasadori britanik, Carls Garret, në një intervistë për “Dojçe Velen”. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)