Emigrantët, Jolevski: ARM në kufi sipas nevojave

31.08.2015 15:53

Ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski, ka vizituar ushtarët e ARM-së të cilët për rreth 11 ditë me radhë po qëndrojnë në Gjevgjeli, afërt kufirit me Greqinë, në ndihmë të MPB-së, për organizim dhe pritje të emigrantëve që vijnë nga Greqia...

Jolevski tha se vendimi për gjendje të krizës për shkak të emigrantëve zgjat 30 ditë, ndërsa sipas nevojave vendimin e njëjtë do të duhet ta vazhdojë Kuvendi. Emigrantët hyjnë në Maqedoni të organizuar në grupe nga 200 persona.

“Siç e patë, ata hyjnë në grupe prej 200 personash, procesohen nga MPB, mandej udhëtojnë me tren dhe nëse ka numër më të madh të emigrantëve atëherë shfrytëzohen edhe autobusët si mjete të udhëtimit. Ajo që u informova nga komandanti i qendrës tonë operative është se ekziston koordinim me palën greke, autoritetet greke informojnë për lëvizjet e emigrantëve me qëllim që ne të jemi maksimalisht të përgatitur. Tani për tani gjithçka është e organizuar dhe shpresoj kështu të vazhdojë”- deklaroi ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski.

Ndërkohë që edhe nga UNHCR thonë se drejt kampit pranues në Gjevgjeli presin që gjatë ditës gradualisht të arrijnë emigrantë të një grupi më të madh prej rreth 7.000 personave të cilët janë drejtuar drejt kufirit të Maqedonisë dhe Greqisë. Gjatë fundjavës emigrantët janë transportuar vetëm me tren nga platforma në Gjevgjeli drejt Tabanocit.

Drejt kufirit me Serbinë edhe sot ata u nisen përmes rrugës hekurudhore me trenat e rregullt dhe special. Sipas informacioneve të stacionit hekurudhor në Gjevgjeli, gjatë dymbëdhjetë orëve të kaluara drejt Tabanocit janë nisur 1.500 emigrantë, ndërsa para pak kohësh drejt kufirit verior është nisur edhe një tren special me rreth 1.000 emigrantë.

Njëhërit, sot ministri Jolevski, i shoqëruar nga ambasadori i SHBA-ve në Republikën e Maqedonisë, Xhes Bejli, shefi i shtatmadhorisë së ARM-së, gjeneral-nënkoloneli Metodija Veliçkovski, dhe komandanti i KBO të ARM-së, gjenerali i brigadës Vasko Gjurçinovski, sot në poligonin e Armatës “Krivollak” morën pjesë në stërvitjen ushtarake bilaterale "Operacioni Falanga-Maqedoni”. ( Florije Beluli-Kamberi, TVM2)