LSDM nesër në kuvend, Shilegov: Respektojmë marrëveshjen e Përzhinos
Grupi parlamentar i LSDM-së bashkë me partnerët e koalicionit prej nesër do t`i bashkangjitet punës së parlamentit pas bojkotit një vit e gjysmë...

Kjo u pohua nga zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov, i cili është shprehur se nuk do të shkelin marrëveshjen e dy qershorit.
“LSDM me asgjë nuk do ta thyej marrëveshjen e arritur. Nuk do të jemi alibi për mosrespektimin e marrëveshjes”- është shprehur Shilegov.
Nga LSDM thonë se totalisht dhe në mënyrë aktive do të kyçen në punën e kuvendit si në seancat plenare, por edhe në punën e komisioneve, por më së shumti do të fokusohen në obligimet që dalin nga marrëveshja politike.
Nga LSDM nuk japin përgjigje mbi dilemat e ngritura se a do të ngel partia e Zaevit brenda kuvendit edhe pas 15 shtatorit në rast se deri atëherë nuk zgjidhet prokurori special, siç është parashikuar me marrëveshjen e Przhinos. Shilegov thotë se nëse nuk zgjidhet prokurori special në afatin e paraparë me marrëveshje, atëherë do të vazhdohet me publikimin e “bombave”, pa precizuar se a do të braktiset kuvendi.
“Do të presim të shohim se çka do të ndodh, pastaj do të tregojmë se çka do të bëjmë, nuk ka nevojë që të shpejtohet me deklarata”- deklaroi Shilegov.
Nesër, para se deputetët të ulen në kuvend, lideri i partisë, Zoran Zaev, pritet të mbajë konferencë për media. (Meral Ismaili, TVM2)
