Botë

Preshevë, liderët e Luginës: duam status të njëjtë sikur veriu i Kosovës

31.08.2015 17:48

vKrijimi i bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, që ka përplasur qeverinë me lëvizjen “Vetëvendosje”, është komentuar nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq...

Numri dy i qeverisë së Beogradit tha se ky asociacion do të krijohet së shpejti, por i pyetur nëse ky është një hap drejt ndarjes së Kosovës, ai u përgjigj se në këto momente është herët të flitet për këtë gjë.
 
Për zyrtarët e lartë serbe Marrëveshja e Brukselit për bashkësinë e komunave serbe është një prej arritjeve më të mëdha në dialogun me Prishtinën, pasi siguron autonomi me kompetenca të zgjeruara për 10 komuna serbe, por “Vetëvendosja” thotë se marrëveshja i lejon Serbisë të fuqizohet brenda Kosovës, siç ka ndodhur me republikën serbe në Bosnjë dhe bën thirrje për protesta.
 
Formimi i kësaj bashkësie mund t’i hapë rrugë edhe një autonomie territoriale për komunat shqiptare në jug të Serbisë. 
 
Në një intervistë për Agjencinë ruse të Lajmeve “Sputnik”, udhëheqësit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Jonuz Musliu dhe Ragmi Mustafa, deklaruan se pas koordinimit me Prishtinën dhe Tiranën do të kërkojnë që të drejtat që u jepen serbeve në Kosovë t’u jepen edhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
 
Bashkësia e komunave serbe do te ketë një statut që do të aprovohet nga kuvendi i komunave pjesëmarrëse, një kryetar, nënkryetar dhe një këshill prej 30 anëtarësh.
 
Ajo do të ofrojë shërbime publike për forcimin e demokracisë lokale, zhvillimin ekonomik, në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe një pjesë e financimeve do të vijë nga Serbia.