Futboll
Kuqezinjtë nisin stërvitjet për Danimarkën
31.08.2015 18:36
Kombëtarja kuqezi ka nisur përgatitjet për ndeshjen kualifikuese të 4 shtatorit, në Kopenhagë...

Në Venecia të Italisë, trajneri De Biazi dhe stafi i tij kanë zhvilluar të dielën mbasdite seancën e parë stërvitore.
Ata lojtarë që kishin mbërritur në grumbullim i janë nënshtruar një stërvitjeje të lehtë 60-minutëshe.
Në këtë seancë stërvitore morën pjesë këta futbollistë: Agolli, Ajeti, Aliji, Abrashi, Shehi, Hoxha, Rrahmani, Shala, Memushaj, Basha, Cikalleshi dhe Bulku.
Ditën e sotme do të bashkohet edhe pjesa tjetër e të thirrurve nga trajneri për dy kualifikueset e radhës.
Ndërkohë, fundjava ka qenë mjaft e mirë për legjionarët shqiptarë nëpër Europë.
Kështu, Shkëlzen Gashi, lojtari i Bazelit, ka shënuar golin e dytë në fitoren 3-1 ndaj FC Zyrihut, duke mundur kësisoji në “derbin” e shqiptarëve Sadikun dhe Xhimshitin, ashtu sikurse Bekim Balaj ka shpërthyer me një dopietë në kampionatin kroat, me Rijekën e tij.
Pra, trajneri De Biazi i ka sulmuesit të kolauduar, ndërsa mund të ketë njëfarë vështirësie se cilin do të aktivizojë titullar.
Ermir Lenjani, nga ana tjetër, është ndëshkuar me karton të kuq, teksa FC Nantes ka humbur në transfertë, 1-0. Mesfushori kuqezi e nisi ndeshjen e dytë me skuadrën e tij të re si titullar, por s’e përfundoi dot, sepse arbitri e ndëshkoi.
Lorik Cana, kapiteni ynë i kombëtares, nga ana tjetër, mund të mbyllë sot marrëveshjen me FC Nantes, duke iu bashkuar Ermir Lenjanit.
Gjakovari kuqezi ka arritur akordin me klubin popullor në Francë dhe do të rikthehet në “Ligue 1” pas disa vitesh.
Ai pritet të prezantohet sot te skuadra e re, pastaj të fluturojë drejt Venecias, për t’iu bashkuar kombëtares në përgatitjet për kualifikueset ndaj Danimarkës dhe Portugalisë.
