US Open, avancojnë Djokovic, Nadal e S.Williams, eliminohet Nishikori
Nuk mungojnë surprizat në ditën e parë të US Open, grand-slamit të fundit të vitit që nisi këtë të Hënë në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës...
Nëse Novak Djokovic e Rafael Nadal e patën të thjeshtë kualifikimin në raundin e dytë ishte numri 4 i Botës, japonezi Kei Nishikori ai që i dha lamtumirën turneut ndërsa te femrat spikat eliminimi i serbes Ana Ivanovic.
Numri 1 i Botës dhe favoriti kryesor për të triumfuar në cimenton Njujorkeze, Novak Djokovic arriti të mposhte në 3 sete portugezin Joao Souza pa shpenzuar shumë energji. Vetëm 3 game humbi në total Nole përballë kundërshtarit të tij duke mbyllur gjithcka me rezultatin 6-1, 6-1, 6-1 në 1 orë e 13 minuta lojë.
U kualifikua për më tej edhe dy herë fituesi i US Open, spanjolli Rafael Nadal. 29-vjecari iberik triumfoi 3-1 me sete përballë 18-vjecarit kroat Borna Coric. Nadal vuajti disi për të thyer rezistencën e adoleshentit ballkanas duke qëndruar në fushë për 2 orë e 49 minuta.
Kampioni në fuqi i US Open, kraoti tjetër Marin Cilic e nisi me një fitore të lehtë rrugën e tij drejt mbrojtjes së titullit. Shtatlarti 26-vjecar kaloi në tre sete argjentinasin Pella. Përfundoi në raundin e parë aventura e Kei Nishikorit në Grand-Slamin amerikan.
Tenisti nipon u dorëzua pas një beteje spektakolare ndaj Benoit Paire. 3-2 me sete në favor të francezit ishte rezultati i sfidës që zgjati plot 3 orë 17 minuta. U kualifikuan në ruandin e dytë edhe Jo Wilfried Tsonga, Milos Raonic dhe Grigor Dimitrov ndërsa nuk mundi të avanconte më tej Gael Monflis.
Në kategorinë e femrave nuk hasi aspak probleme 6-herë kampionja e US Open, Serena Williams. Numri 1 i Botës eliminoi pa më të voglën vështirësi rusen Diatchenko që në fillimin e setit të dytë u tërhoq kur rezultati ishte 2-0 me game në favor të Serenës ndërsa amerikanja kishte fituar edhe setin e parë me shifrat 6-2.
Surprizën e vërtetë e dhuroi Ana Ivanovic që u mund në tre sete nga tenistja sllovake Cibulkova. Ndërkohë avancuan më tej Agnjeska Radëanska, Venus Ëilliams dhe Belinda Bencic.