Spanjë, 5 të vdekur, 6 të plagosur, shpërthim në një fabrikë fishekzjarrësh

01.09.2015 14:43

Një shpërthim në një fabrikë fishekzjarrësh në verilindje të Spanjës ka lënë pesë persona të vdekur dhe 6 të tjerë të plagosur...

Shpërthimi ndodhi në periferi të qytetit Saragoza, i cili ndodhet në afërsi të aeroportit të zonës. Shpërthimi i fuqishëm në fabrikën që prodhon fishekzjarrë u dëgjua thuajse në të gjithë qytetin, teksa pamjet televizive treguan edhe shtëllunga të mëdha tymi që ngriheshin në ajër. “Pesë të vdekur, 6 të plagosur rëndë dhe ne nuk e dimë gjendjen e atyre që u transportuan në spital me makina private”- tha kreu i ekipit mjekësor të zjarrfikësve, Armando Cester.

Shërbimet emergjente u kërkuan banorëve lokalë të qëndrojnë larg zonës ku ndodhi ngjarja, teksa aeroporti ka vijuar fluturimet normalisht. Forcat zjarrfikëse vijojnë ende punën për stabilizimin e situatës në fabrikën e fishekzjarrëve, e cila eksporton prodhimet e saj në vende të tjera evropiane dhe Kanada.

Sipas të përditshmes spanjolle “El Pais”, aksidentet në fabrikat e fishekzjarrë në të gjithë vendin në 25 vitet e fundit kanë marrë më shumë se 110 jetë njerëzish.(Vlora Latifi-Topojani, TVM2)