Hungari, rrugëtimi i klandestinëve, autoritetet zbrazin stacionin e trenit
Britania, Franca e Gjermania kanë bërë thirrje për ngritjen e qendrave të pritjes dhe marrjen e shenjave të gishtave të emigrantëve e refugjatëve sapo ata të arrijnë në Evropë...

Të tre vendet kanë kërkuar një mbledhje urgjente të BE-së, që do të mbahet në Bruksel pas 2 javësh, për të diskutuar për masat konkrete, ose një marrëveshje më të mirë me numrin në rritje të të ardhurve të rinj. Një pikë e nxehtë ka qenë kufiri hungarez me Serbinë dhe Rumaninë, ku mijëra njerëz kanë kaluar në javët e fundit, pavarësisht gardhit 160 km prej teli, që u vu për t’i lënë ata jashtë.
E derisa fluksi i emigrantëve drejt Evropës sa vjen e shtohet, Hungaria është detyruar të mbyllë stacionin kryesor të trenave në Budapest dhe ka evakuuar gjithë emigrantët që shpresonin të niseshin drejt Austrisë dhe Gjermanisë.
Në stacion ishin mbledhur mijëra refugjatë dhe deri në orët e para të mëngjesit të sotëm shumë prej tyre nisën rrugëtimin për në Vjenë dhe Mynih, por ata që janë pa dokumentet e nevojshme apo pa para për të blerë biletën detyrohen të qëndrojnë në tenda përqark stacionit hekurudhor.
Destinacioni i parë është Austria, ku në orët e fundit kanë mbërritur qindra emigrantë. Të paktën 4 trena të nisur nga Hungaria u lejuan nga autoritetet austriake të hynin në vend. Një pjesë e madhe e tyre do të kërkojnë azil në Austri, ndërsa të tjerë pritet të vijojnë më tej udhëtimin për në Gjermani. Autoritetet austriake kanë ndërmarrë kontrolle shtesë për automjetet rrugore që hyjnë nga Hungaria, pas gjetjes së 71 klandestinëve të vdekur në një kamion.
Ndërkohë, në Vjenë u organizua edhe një miting pro klandestinëve, ku pjesëmarrësit u bënë thirrje autoriteteve të trajtojnë me respekt emigrantët.
Numri i emigrantëve që futen në Evropë ka arritur nivele rekord, me 107 500 që kanë hyrë vetëm gjatë muajit korrik. Gjermania është vendi i përzgjedhur nga emigrantët. Këtë vit, pritet që në këtë vend të hyjnë 800 000 persona, 4 herë më shumë sesa vitin e kaluar. (Leunora Kaliqi, TVM2)
