Filloi viti i ri shkollor, Ademi: sivjet nuk ka dënime për arsimtarët
Filloi dita e parë e shkollës në 337 shkolla fillore dhe 105 shkolla të mesme në të gjithë Maqedoninë...

190.000 nxënës të shkollave fillore dhe rreth 85.000 të shkollave të mesme u ulën në bankat e shkollës këtë mëngjes. Ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, hapi vitin e ri shkollor në Shkollën Fillore “Pashko Vasa” në fshatin Grupçin të Komunës së Zhelinës.
“Uroj për një vit të mbarë. Uroj të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të RM-së që të kenë një vit të mbarë dhe të suksesshëm. Dua të uroj veçanërisht nxënësit e klasave të para, të cilët fillojnë mësimin e tyre, gjithashtu të kenë një vit dhe jetë të lumtur”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
Ademi theksoi se këtë vit nuk do të ketë dënime për arsimtarët, por vetëm shpërblime për ata që do të tregojnë sukses.
“Risi për mësimdhënësit është që nga ky vit shkollor nuk do të ketë dënim për testimin ekstern, përkundrazi, do të ketë shpërblime për mësimdhënësit të cilët do të kenë më pak shmangie në vlerësimin ekstern”- tha Ademi.
Për herë të parë në bankat e shkollës sivjet ulen edhe rreth 20.000 nxënës të klasës së parë. (Visar Sadiki, TVM2)
