20 mijë fëmijë në klasë të parë, sociologët: Kujdes si silleni me ta!
Sivjet në Maqedoni janë 20 mijë fëmijë që provuan emocionet e para të shkollës...

Dhe misionin më të vështirë duket se e kanë mësuesit e klasave të para. Si çdo vit tjetër, edhe sivjet nuk kanë munguar vogëlushët që me vështirësi pranojnë ndarjen nga nëna dhe nisjen e një rruge të re, atë të dijes.
Përse qave në mëngjes?
-“E desha mamin”- u përgjigj një vogëlush.
Po pse e doje mamin?
-“Po e kisha pak me frikë. Unë e kam për herë të parë në klasë të parë.”- theksoi ai.
Pse ke qarë ti?
-“PO dua mamin prandaj”- u shpreh një nxënës tjetër.
Ke qenë në kopsht më përpara?
-“Po”- u përgjigj ai.
A të pëlqen shkolla?
-“Po”- tha nxënësi.
Sociologët thonë se prindërit duhet të jenë më të vëmendshëm sa i përket kujdesit të fëmijëve që hynë për herë të parë në shkollë. Ata duhet të mësohen se tani pjesën më të madhe të ditës duhet ta kalojnë me moshatarët dhe jo me nënat e tyre, por gjithashtu dihet, të mësohen me faktin se duhet punë për të fituar dituri.
Sociologia, Jona Geci, thotë se me këta fëmijë duhet të jemi shumë të kujdesshëm e t’i mësojmë se duhet të japin maksimumin e tyre, por jo duke bërë krahasime me të tjerët.
“Sistemi krahasues tek fëmijët nuk duhet përdorur, sepse me dëshirën e mirë që kanë prindërit për të nxitur le të themi dëshirën e fëmijëve për të ecur përpara, në të njëjtën kohë ata mund të bëjnë një regresion të fëmijës, duke ja ngjallur atë ndjenjën e inferioritetit apo pamundësisë”- deklaroi sociologia, Fatjona Geci.
Sociologia Geci gjithashtu apeloi që të kenë kujdes me peshën e çantave shkollore. Ajo thotë që të futen në çantë vetëm mjetet e domosdoshme, për shkak se mund të bëhen deformime fizike tek fëmijët.
“Unë do të jepja edhe një këshillë të vogël tek pjesa e pasjes në konsideratë edhe tek përgatitja ditore e fëmijëve. Çantat që do ua vënë fëmijëve në kurriz, që zakonisht çanta është më e madhe se fëmija, pesha e asaj çante duhet të jetë sa 10% e masës trupore të fëmijës, dhe elementi tjetër, mos i nxirrni fëmijët pa pak ushqim në mëngjes dhe pa pak ushqim me vete”- theksoi Geci.
Gjithashtu Geci thotë se prindërit nuk duhet t’i mësojnë fëmijët t’u japin para në shkollë. Shpërblimi me të holla nuk është mjet edukues. Fëmijët duhet të mësojnë për vete dhe jo për të tjerët, dhe duhet gjetur mënyra të kujdesshme për t’ua futur atyre që në fillim dëshirën për shkollën. (Ersan Pajaziti, TVM2)
