Maqedoni
Kthimi i opozitës, KE: Implementoni në tërësi marrëveshjen
01.09.2015 15:51
Bashkimi Evropian përshëndeti kthimin e deputetëve të zgjedhur të LSDM-së opozitare në Kuvendin e Maqedonisë...

Bashkimi Evropian përshëndeti kthimin e deputetëve të zgjedhur të LSDM-së opozitare në Kuvendin e Maqedonisë, sipas Marrëveshjes së 2 qershorit dhe Protokollit të 15 korrikut.
“Përshëndesim faktin se opozita tani është kthyer në parlament. E dini se kjo është pjesë e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, që u arrit në qershor dhe korrik të këtij viti. Është shumë me rëndësi që kjo marrëveshje të implementohet dhe ne tani presim që parlamenti të punojë në prioritetet reformuese në interes të mbarë vendit"- deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç.
Brukseli zyrtar, gjithashtu, i dërgoi porosi se prej shumë afër e ndjek zhvillimin e ngjarjeve dhe pret progres lidhur me zgjedhjen e prokurorit të posaçëm, afati i fundit për të cilin është brenda dy javëve.
"Për çështjen e prokurorit të posaçëm, puna rreth kësaj ende po zhvillohet dhe ne presim që partitë t'i ruajnë dhe implementojnë të gjitha obligimet. Eurokomisioni dhe posaçërisht komisari Han e ndjekin këtë prej së afërmi dhe ne presim progres gjithashtu edhe në këtë fushë”- tha Kocijançiç.
“Afatet për zgjedhje të prokurorit special, si dhe të ministrave të rinj që do t'i propozojë LSDM¬-ja opozitare, janë të qarta dhe precize dhe asnjëra nga 4 partitë nënshkruese të marrëveshjes së Përzhinos nuk guxon t’i lëvizë ato”- porosit Komisioni Evropian.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
