Dita e parë në shkollë për gjimnazistët, profesorët presin realizimin e kërkesave të tyre

01.09.2015 16:13

Shkollat e mesme hapën dyert për rreth 85 mijë nxënës të cilët filluan ditën e parë në shkollë...

Nxënësit janë optimist se ky vit shkollor do të jetë më i suksesshëm dhe do të arrijnë rezultate më të mira krahasuar me vitet e kaluara.

“Ky vit më duket se do të jetë më i mbarë dhe se ka rregulla të rrepta dhe stafi dhe nxënësit do të sillen ndryshe dhe mendoj se do të jetë një vit më i mbarë se të tjerët”- theksoi një nxënës.

“Një fjalë e urtë thotë Dita e mirë shihet në mëngjes”, por në shkollë nuk mund ta shohim këtë gjë dhe unë mendoj se rezultatet në fund do të jenë ato të cilat do ta definojnë suksesin gjatë këtij viti”- tha një nxënës.

“Dita e parë është sot dhe pres me mësime më mirë të kaloj dhe me shoqëri, të mësohem me ta”- u shpreh një nxënëse.

Profesorët shpresojnë se ky vit do të jetë i suksesshëm, por siç thonë ata, presin realizimin e kërkesave të tyre dhe tërheqjen e reformave për të cilat kishte ankesa gjatë vitit të kaluar.

“Në aspektin teknik dhe hapësinor të shkollës jemi mirë, nxënësit janë me numër më të vogël, 34. Nga apeli që bëri MASh-i, drejtorët dhe mësimdhënësit u arrit ky sukses, presim reformat që vijnë të rregullohen”- deklaroi profesori, Abil Baush.

“Ndoshta fillimi duhet të jetë i mbarë çdoherë, por nëse vazhdohet me reformat nga MASh-i, sigurisht se do të kemi probleme, normal duhet disa mënjanime që jo vetëm profesorët, por edhe nxënësit të jenë të kënaqur për këtë vit shkollor dhe vitet e ardhshme”- theksoi një profesor, Burim Aliu.

“Besoj se këtë vit do të realizohen kërkesat e arsimtarëve dhe profesorëve, dhe besoj se nxënësit nuk do humbin mësim gjatë vitit shkollor”- u shpreh profesori, Besnik Rameti.

Ndërkohë, Plenumi i Shkollave të Mesme paralajmëroi se do të vazhdojnë me takime publike, debate dhe argumente që të kërkojnë nga Ministria e Arsimit të bëjë ndryshime në realizimin e  testimit ekstern. (Flutura Latifi, TVM2)