Maqedoni
Opozita maqedonase hyri në Kuvend, Zaev: Konfirmojmë respektimin e marrëveshjes politike; VMRO akuzon deputetët e opozitës pse kanë marrë pagat
01.09.2015 16:40
Opozita maqedonase e kryesuar nga LSDM edhe zyrtarisht hyri në Kuvend...

Në takimin e parë koordinues, çështja e parë që është diskutuar është shqyrtimi i procesit për tërheqjen e dorëheqjeve të deponuara nga ana e deputetëve opozitar, të cilët patën fituar mandat në zgjedhjet e fundit parlamentare, por që refuzuan pranimin e tij me arsyetimin se zgjedhjet kanë qenë jokorrekte dhe jodemokratike, ndërsa rezultati zgjedhor i kurdisur.
Siç tha vetë kreu i LSDM-së, kthimi në Kuvend ndodh për të respektuar marrëveshjen politike të dy qershorit dhe për të zbatuar këtë marrëveshje në përpikmëri.
“Njoftoj se grupi i deputetëve të LSDM-së dhe partnerëve të koalicionit vazhdojnë të veprojnë në Parlament për të siguruar zbatimin e marrëveshjes së arritur më dy qershor, përkatësisht 15 korrik, që deri më 15 shtator të zgjidhet prokurori publik special, i cili në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet do të sigurojë sundimin e ligjit, do të marrë përsipër materialet nga përgjimi dhe veprimet e nevojshme për veprat që zbulohen në përgjime”- deklaroi kreu i LSDM-së, Zoran Zaev.
Nëse nuk zbatohet marrëveshja politike e Përzhinos në përpikmëri, në përmbajtje dhe në afate të caktuara, atëherë kjo marrëveshje do të konsiderohet e pavlefshme nga LSDM.
Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së priti deputetët e opozitës në Kuvend me kritika pse kanë marrë paga edhe pse kanë munguar 15 muaj.
“Deputetët e VMRO-DPMNE-së të koalicionit tonë për Maqedoni më të mirë, por edhe deputetët e tjerë të grupeve parlamentare të BDI-së, PDSH-së dhe deputetëve të pavarur vitin e kaluar kishim punë intensive dhe të frytshme. Të gjithë këta rreth 90 deputetë ishin në nivel të detyrës që na dhanë qytetarët. Të gjithë këta deputetë nuk lejuan të shkelet dinjiteti dhe kredibiliteti i tyre, të mos vijnë në punë e të marrin rrogë”- tha Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Konformë marrëveshjes politike të dy qershorit, pas zgjedhjes së prokurorit special më 15 shtator, kjo përbërje parlamentare më së voni deri më 20 tetor, duhet të zgjedh qeveri kalimtare, duhet të miratojë të gjitha ndryshimet në sistemin juridik dhe kodin zgjedhor; duhet të konstatojë dorëheqjen e kryeministrit, Nikolla Gruevski, dhe të zgjedh kryeministër të ri, i cili me qeverinë kalimtare, të përbërë nga pushteti dhe opozita, duhet të sigurojnë zgjedhje korrekte dhe demokratike.
Më 28 maj 2014, para 1 vjet e tre muaj opozita maqedonase vendosi që të mos pranojë mandatet e fituara në zgjedhjet parlamentare të 27 prillit dhe kërkoi formimin e një qeverie kalimtare për organizimin e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike, kërkesë që u refuzua nga VMRO-DPMNE.
Gjatë kësaj periudhe, Kuvendi ka miratuar qindra ligje pa opozitën.
SHPËTIM NUREDINI
