La Mansh, emigrantët në shinat e trenit, bllokohen pasagjerët për disa orë
Qindra pasagjerë kanë pritur për disa orë rresht në trenat e shpejtësisë së lartë “Eurostar” pas lajmit se qindra refugjatë kishin bllokuar shinat e hekurudhës drejt tunelit të La Manshit në përpjekje për të hipur në bord...

Sipas njoftimit të vetë “Eurostar” dhe pas bllokimit disaorësh, tre nga trenat u nisën drejt Londrës mëngjesin e së mërkurës ndërsa 2 të tjerë u kthyen në stacionet e tyre të nisjes në Londër dhe Paris.
“Eurostar” kishte njoftuar më herët se po mbante në stacion trenat e tij pasi shinat ishin bllokuar nga emigrantët në stacionin e Kalesë, derisa këta të fundit u lëvizën nga policia.
“Ne pritëm për të hyrë në tunel. Na thanë që tuneli ishte i zënë, i mbushur me njerëz dhe pritëm. Mendoj se pritëm rreth 2 orë e gjysmë ose ndoshta 3, dhe pastaj na thanë se duhet të kthehemi mbrapsht në Londër”- tha një pasagjer teksa u rikthye në stacionin “Saint Pancras” në Londër.
Mediat lokale raportuan se pasagjerët që kishin bllokuar hekurudhën ishin emigrantë, që përpiqeshin të kalonin në Mbretërinë e Bashkuar përmes Eurotunelit. Autoritetet ndërprenë edhe energjinë elektrike në tunel, ndërsa qindra emigrantë zunë shinat duke u ulur mbi to.
Qindra pasagjerë në pritje për të udhëtuar drejt Parisit mbetën gjithashtu në pritje, të detyruar të qëndrojnë në hotele deri në pastrimin e tunelit. (Gyltene Sinani, TVM2)
