US Open, të mëdhenjtë nuk hasin probleme në ditën e dytë
Dita e dytë e US Open, Grand-Slamit të fundvitit në tenis foli në gjuhën e të mëdhenjëve, me pretendentët kryesorë që avancuan në raundin e dytë...

5-herë fituesi i turneut Njujorkez, Roger Federer thjeshtë shëtiti në sfidën e tij përballë argjentinasit Leonardo Mayer.
Tenisti zviceran, i cili konsiderohet si favoriti numër 2 për të triumfuar mbi cimenton amerikane, humbi në total vetëm 5 game përballë numrit 34 të Botës duke imponuar ritmin e tij ndaj Mayer nga fillimi e deri në fund të ndeshjes. Federer mbylli llogaritë me kundërshtarin e tij argjentinas në 1 orë e 18 minuta lojë me shifrat 6-1, 6-2, 6-2. Rivali i raundit të dytë për Federer do të jetë belgu Steve Darcis që nga ana e tij eliminoi qipriotin Marco Baghdatis.
Nuk e pati edhe aq të thjeshtë numri 3 i Botës britaniku Andy Murray kualifikimin për më tej. Tenisti skocez triumfoi 3-1 me sete përballë australianit Nick Kyrgios që u shfaq shumë nervoz në këtë sfidë, madje në një rast u bë edhe qesharak duke i fluturuar raketa nga dora. 7-5, 6-3, 4-6, 6-1 në favor të Murray-it ishte rezultati i seteve me skocezin që mbylli llogaritë me Kyrgios në 2 orë e 47 minuta.
Në raundin e dytë tenisti britanik do të ketë përballë francezin Adrian Mannarino. Në një formë shumë të mirë në US Open u shfaq edhe Stansilas Wawrinka. Zvicerani që pozicionohet në vendin e 5-të të klasifikimit të përgjithshëm Botëror mposhti në 3 sete spanjollin Albert Ramos. Edhe Thomas Berdych nuk hasi vështirësi për të siguruar një biletë në raundin e dytë teksa kaloi 3-0 me sete amerikanin Fratangelo. U kualifikuan për më tej edhe Richard Gasquet, Kevin Anderson dhe Ivo Karlovic.
Surprizat munguan edhe në tenisin femëror me pretendentet që avancuan në raundin tjetër. Petra Kvitova humbi në total vetëm 2 game përballë rivales së saj Siegemund, ndërsa shumë thjeshtë u kualifikua edhe Simona Halep që eliminoi tenisten nga Zelanda e Re, Marina Erakovic. Nuk vuajti as Caroline Wozniacki që mundi në 2 sete me shifrat 6-2, 6-0 amerikanen Loeb.