Kriza e refugjatëve, shpëtohen 800 emigrantë në Mesdhe

02.09.2015 12:31

Autoritetet norvegjeze kanë shpëtuar pothuajse 800 emigrantë në vështirësi, në ujërat e detit Mesdhe mëngjesin e kësaj të mërkure...

Fillimisht emigrantët janë shpëtuar nga varka e tyre e cila ishte çarë dhe po mbytej në det për shkak të peshës së madhe mbi të plot 781 emigrantë, e më pas ata janë transferuar në anijen e madhe norvegjeze pas kërkesës për ndihmë nga marina italiane.

Në bordin e anijes, sipas njoftimit zyrtar të UNHCR-së, ishin disa gra shtatzëna dhe fëmijë të mitur, jo më shumë se 3 vjeç. Emigrantët ishin nisur nga brigjet libiane, të gjithë në bordin e një anije të vogël, duke tejkaluar kapacitetin e saj.

Komandanti i këtij operacioni, Erling Oldstad, tha se një pjesë prej klandestinëve ishin të plagosur, ndërsa fëmijët ishin në gjendje të fikti nga lodhja dhe mosushqyerja.

Autoritetet norvegjeze i kanë zbarkuar emigrantët ilegalë duke i regjistruar ata në qendrat e pritjes, të ngritura enkas për ta. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)