Analistët: Gjykata, pengesë kryesore e prokurorit special
Vendimi i Gjykatës Penale në Shkup për shpalljen e audio-incizimeve nga përgjimet si dëshmi të pavlefshme dëshmon se gjykata....

Vendimi i Gjykatës Penale në Shkup për shpalljen e audio-incizimeve nga përgjimet si dëshmi të pavlefshme dëshmon se gjykata do të jetë pengesa kryesore që prokurori special që duhet të merret me aferën e përgjimeve, sipas marrëveshjes së Przhinos, të kryej në mënyrë të pavarur punën tij, vlerëson analisti, Mersim Maksuti.
Sipas tij, veprimet e fundit të gjykatës në Shkup gjenerojnë nevojën imediate që përveç prokurorit special të themelohet dhe një gjykatë speciale e cila do të gjykonte në këto raste.
“Vendimi i djeshëm i Gjykatës Themelore Shkup 1 është i paligjshëm, por e keqja e kësaj është se tashmë po shihet haptazi se që në fillim gjykatat në Maqedoni, gjegjësisht Gjykata 1, po bën obstruksion dhe gjithë kjo ka për qëllim mosimplementimin e marrëveshjes së arritur në Przhino. Për herë të parë po del në sipërfaqe se vërtet gjykata do të jetë pengesa kryesore e bashkëpunimit të prokurorit special, që pritet të formohet shumë shpejt, më 15 shtator. Me këtë duket se sfida kryesore paraqesin gjykatat, por edhe organet tjera që pritet të bashkëpunojë prokurori special dhe si rezultat i kësaj po hapet çështja çka do të bëhet me gjykatat”- deklaroi analisti, Mersim Maksuti.
Sipas Marrëveshjes politike të 2 qershorit, dosja e përgjimeve do të kalojë për hetim në kompetencat e prokurorit special, i cili duhet të zgjidhet më 15 shtator. (Florije Bebuli-Kamberi, TVM2)
